Rasti “veteranët”, mbetet i paqartë numri i përfituesve të pensionit
Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thonë se rreth dy mijë persona, kryesisht ata që kanë falsifikuar dokumentet për ta fituar statusin e veteranit të luftës, janë larguar nga lista e përfituesve të pensionit.
Por, këto të dhëna nuk janë konfirmuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila nuk ka informacione se dikush është larguar nga lista e pensionit të veteranit të luftës.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se ka rënë dukshëm numri i personave që tash nuk marrin pensione. Nga shifra prej rreth dy mijë vetave, sa ai mendon se janë larguar nga lista, Gucati thotë se 400 prej tyre ishin nga Shqipëria. “Rreth dy mijë (2 000) veta janë larguar nga pagat. Njëzet (20) veta janë persona që janë zënë me certifikata dhe vendime false (të rreme), ata veç janë duke e vuajtur dënimin dhe janë të regjioneve të ndryshme, të komunave të ndryshme. Kështu që kjo është reale. Muajin e kaluar 2 000 veta nuk kanë marrë paga fare se janë të larguar nga listat”, ka thënë Gucati.
Gucati ka theksuar se në muajin dhjetor 2019 pensione kanë marrë më shumë se 37 mijë veteranë. “Deri vonë pensione kanë marrë mbi 39 mijë, tash ka rënë numri në mbi 37 mijë. Do të thotë, prokuroria është duke punuar. Ne e kemi përkrahur prokurorinë edhe më herët. Do ta përkrahim edhe tash, se për ne është mënyra më e mirë që ka filluar puna gradualisht, pa zhurmë, që po largohen nga listat e pensioneve ata që s’e meritojnë”, ka thënë Gucati.
Në anën tjetër, në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale thonë se, pavarësisht prej hetimeve, ministria nuk është e informuar zyrtarisht nga askush lidhur me largimin nga lista të asnjë personi që ka marrë më herët pension.
Në këtë ministri thonë se shifrat bazohen në Draftin e Listës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës.
“Nga lista e përfituesve të pensionit të veteranit të luftës nuk është larguar asnjë shfrytëzues si mashtrues, apo siç po quhen ‘veteranë të rrejshëm’, pasi që në këtë departament nuk ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare nga organet kompetente për ndërprerje të pensionit. Ligjërisht derisa ne nuk kemi asnjë shkresë të tillë zyrtare nuk mund të largohet askush nga lista”, është thënë në përgjigjen me shkrim nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas të dhënave nga kjo ministri, në muajin dhjetor të vitit 2019 në skemën e përfituesve të veteranëve të luftës kanë qenë 38 101 veteranë, kurse në janar të këtij viti në listën e pagesës janë 38 156 përfitues të kësaj skeme, që nënkupton shtimin e numrit të përfituesve dhe jo pakësimin e tyre.
Ndërkohë, Hysni Gucati thotë për “Radion Evropa e Lirë” se nuk e di se si janë raportet e bashkëpunimi mes ministrisë apo qeverisë dhe mekanizmave të tjerë për këtë çështje, por ai shprehet i bindur që më shumë se dy mijë persona janë larguar nga lista.
Gucati ka pohuar se as shoqata që ai përfaqëson nuk ka arritur të sigurojë një listë finale të personave që marrin pension si veteran. “Listat nuk na i kanë dhënë, i kam kërkuar disa herë. Kam kërkuar të di sa marrin paga dhe sa kanë hyrë gjatë këtij viti. Kështu që mua, zyra për këtë çështje, që është pranë kryeministrisë, nuk më ka dhënë asnjëherë përgjigje”, ka deklaruar Gucati.
Prokuroria Speciale e Kosovës, nga provat e siguruara, ka vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën mbi 68 milionë euro.
Kjo Prokurori ka njoftuar kohë më parë se “ka ngritur aktakuzë, të cilën e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si ‘veteranët’, në drejtim të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria e Shtetit ka thënë se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori mund të jetë deri në 19 mijë veta. Një numër kaq i madh i përmendur nga Prokuroria kishte nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke thënë se në këtë listë me numër kaq të madh të personave kishte edhe emra të shumë ish-luftëtarëve që kanë luftuar nën emblemën e UÇK-së. Kjo organizatë ka shprehur zhgënjimin lidhur me atë se si prokuroria ka bërë gabime të tilla, duke kërkuar përmirësim të menjëhershëm të listave.
Hetimet po zhvillohen në rajone të ndryshme të Kosovës. Kështu vetëm në Prokurorinë Themelore në Prizren kanë thënë për “Radion Evropa e Lirë” se janë duke u hetuar rreth 150 persona. “Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se sa iu përket rasteve të manipulimeve me listat e veteranëve, në Prokurorinë Themelore në Prizren janë duke u hetuar rreth 150 persona. Prokuroria është akoma në fazën fillestare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të nevojshme dhe se për rastet në fjalë do të veprohet konform dispozitave ligjore”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Po në Prizren, Gjykata Themelore tha për “Radion Evropa e Lirë” se janë të informuar për 32 raste, por që ende nuk ka një vendim gjykimi.