Me ratifikimin e demarkacionit, Kosova zë hapin e fundit për vizat

22 shkurt 2018 | 12:54

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë me dije se deputetët e kësaj partie janë unikë në votën për Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se nëse demarkacioni nuk ratifikohet, Kosova e humbet çastin e fundit për ta marrë liberalizimin e vizave. Haziri ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke bërë me dije se ky proces do të mbyllet me një rol aktiv të LDK-së. Ai ka thënë se nuk mund të ketë kurrfarë rezultati të pritur dhe përfundim të dialogut pa përfshirjen e të gjithë aktorëve kryesorë në Kosovë, do të thotë edhe përfshirjen e opozitës

“Epoka e re”: Z. Haziri, të enjten pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Grupi parlamentar i LDK-së ka konfirmuar votën unanime për këtë marrëveshje. Cila është arsyeja që do të votoni për ratifikimin e demarkacionit?
Haziri: Ne si LDK Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi e shohim dhe e lexojmë si projektligjin e gushtit të vitit 2015, sepse nuk ka ndryshime në këtë projektligj. Pra, është i njëjti projektligj. Prapashtesat si aneks deklarata nuk kanë kurrfarë impakti të drejtpërdrejtë në projektligj. Kjo më shumë ka krijimin e një ambienti politik sesa që bëhet fjalë për diçka tjetër. Kështu që, LDK-ja në interes të republikës, në veçanti në interes të qytetarëve të saj, të enjten ose kurdo që partnerët e koalicionit apo koalicioni i pushkëve i mbledh votat, LDK-ja do ta mbështetë këtë projektligj.

“Epoka e re”: LDK-ja ka tejkaluar interesat partiake dhe inatet për ta votuar këtë projektligj, ani pse pikërisht për këtë çështje është rrëzuar Qeveria Mustafa nga këta që sot po e mbështesin demarkacionin.
Haziri: Kjo nuk është hera e parë. LDK-ja ka bërë kompromise të dhimbshme shumë herë brenda këtyre 19 vjetëve të lirisë së Kosovës në emër të pajtimit dhe në emër të interesit kombëtar. Këtë herë, përtej kauzave të rrejshme politike dhe përtej proceseve të imponuara politike, LDK-ja sillet me racionalitet si parti shtetformuese dhe konfirmon vullnetin qytetar. Si partia më e madhe me votë politike që kemi dalë në zgjedhjet e fundit, sillemi me përgjegjësi dhe me urtësi. Grupi ynë parlamentar do të jetë përfundimisht unik. Nuk ka qenë unik në kohën kur Isa Mustafa ka qenë sponsor i këtij projektligji, por po bëhemi unik në kohën kur z. Haradinaj është kryeministër dhe kur LDK-ja është në opozitë duke dëshmuar se si opozita duhet të sillet karshi interesave të qytetarëve.

“Epoka e re”: Ky veprim i LDK-së duhet ndjekur edhe nga partitë e tjera?
Haziri: Çdo parti në pozitë apo në opozitë duhet të sillet me racionalitet dhe të votojë në interes të shtetit, edhe atëherë kur nuk vlerësohet si votim i popullarizuar. Interesi qytetar është mbi të gjitha. Ky është mësim edhe për disa deputetë që vendimet mund të vonohen, por prapë duhet të votohen. Edhe ata deputetë që e kanë vonuar këtë proces për gati tre vjet duhet ta shohin se si LDK-ja me racionalitet dhe me largpamësi që nga dita e parë ka kërkuar që ky proces të përballohet dhe të përfundohet në mënyrën më të mirë, sepse është në interes të qytetarëve të Kosovës. Për të mos u mbajtur edhe më tutje qytetarët e Kosovës të izoluar, duhet të ratifikohet marrëveshja për demarkacionin.

“Epoka e re”: Pas miratimit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, besoni se qytetarëve të Kosovës do t’u liberalizohen vizat?
Haziri: Në vitin 2006 kam qenë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës që është marrë me integrime evropiane dhe që procesin e integrimeve e kam kosovarizuar. Nëse flasim 12 vjet pas, do të thotë aspirata jonë për procesin e integrimeve evropiane dhe liberalizimi i vizave ka qenë gjithmonë i kushtëzuar me procese të tjera politike. Fillimisht me statusin e Kosovës, pastaj ka qenë i lidhur me normalizimin e raporteve me Serbinë, si dhe me ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Tani kushte mbeten sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Qytetarët e Kosovës janë mbajtur të izoluar në këtë fazë për shkak të një vendimi i cili është tash e tri vjet, që nuk ka asnjë problem territorial. Pra, ky është absurd i llojit të vet. Qytetarët janë mbajtur të izoluar në mënyrë të padrejtë për një kohë të gjatë, për nëntë vjet nga mosqartësia e politikave të BE-së, ndërsa për tre vjet po mbahen nga politikanët e Kosovës, të cilët nuk e kanë të qartë ecjen e vet politike. Prandaj, është javë kritike që ky proces të kalohet sepse do të ketë mundime shtesë nga pesë vendet anëtare të BE-së prej të cilave, Spanja nuk i ka njohur ende dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Do të ketë negociata shtesë me vendet e shengenit që nuk janë pjesë e BE-së. Po ashtu, do të ketë bisedime me vendet anëtare të BE-së që kanë frikë nga lëvizja masive e  kosovarëve drejt Perëndimit pas liberalizimit të vizave. Këto probleme duhet t’i qartësojmë para se të na hiqen vizat. Diplomacia e Kosovës duhet të veprojë shumë në mënyrë që të arrihet një afat optimal për caktimin e datës për liberalizimin e vizave.

“Epoka e re”: Keni optimizëm se liberalizimi do të mund të ndodhë në pjesën e dytë të këtij viti?Haziri: Nëse demarkacioni nuk ratifikohet këtë javë, Kosova e humbet momentumin e fundit për ta fituar liberalizimin e vizave, sepse pastaj evropianët janë në procese zgjedhore dhe minimumi i asaj që duhet për një normalitet brenda BE-së pas zgjedhjeve janë gjashtë muaj. Nëse merret parasysh se po rritet populizmi, ksenofobia dhe lufta kundër emigrantëve në disa shtete të Evropës, atëherë komplikimet mund të jenë shtesë karshi Kosovës si vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave.

“Epoka e re”: Z. Haziri, si e keni parë kërkesën e pushtetit për përfshirjen e opozitës në procesin e dialogut me Serbinë?
Haziri: Nuk mund të ketë kurrfarë rezultati të pritur dhe përfundim të dialogut pa përfshirjen e të gjithë aktorëve kryesorë në Kosovë, që nënkupton edhe përfshirjen e opozitës. LDK-ja nuk është vetëm opozitë, por është parti historike e këtij vendi, e cila në çdo proces politik e ka pasur rolin e vet. Nuk mund të ketë proces në vend pa fjalën e LDK-së, pa pjesëmarrjen dhe qëndrimin e saj. Pa LDK-në në këtë vend nuk mund të vendoset asgjë. Kështu që, edhe ky proces pritet të mbyllet me një rol aktiv të LDK-së, i cili do të qartësohet pas përfundimit të procesit të shumëpritur të liberalizimit të vizave.

“Epoka e re”: Është e gatshme LDK-ja ta japë kontributin e vet në dialogun Kosovë – Serbi?
Haziri: Nuk ka të bëjë me gatishmëri. Nuk mund të vazhdojmë një proces të rëndë politik pa e pasur të qartë agjendën dhe orarin. Ne kemi sponsorizuar rezolutën e Kuvendit të Kosovës për negociatat me Serbinë dhe vazhdimi i këtij dialogu do ta ketë mbikëqyrjen parlamentare. Shumë shpejt dialogut me Serbinë do t’i vihet një qartësi. Do të ketë një riformatim, një rishikim të agjendës dhe një orar më të saktë me tema më të qëndrueshme lidhur me përmbylljen e këtij procesi. Nuk mund të flasim më për një vazhdimësi të këtij procesi pa orar, por për një mbyllje të procesit që pritet të ndodhë në Bruksel.

“Epoka e re”: Në strategjinë e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor është paraparë arritja e një marrëveshje obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizim të raporteve deri në vitin 2019. Ka qenë kjo një impuls shtesë për LDK-në që të jetë pjesë aktive e dialogut?
Haziri: Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën. Në dokumentin e BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor ka edhe kushte të tjera, por ne nuk po i lexojmë. Është kushti i kufirit në mes të Shqipërisë dhe Greqisë, është kushti i Maqedonisë për të ecur përpara për emrin në raport me Greqinë, është kushti i Serbisë drejt normalizimit dhe njohjes së Kosovës. Ky dokument ka perspektivë, por Kosova është më mbrapa. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të kushtëzuara për të ecur përpara dhe kushtëzimi është i lidhur me njëra-tjetrën. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura në mënyrë zinxhirore, kështu që efekti i kësaj ka me qenë domino ose kanë për të ecur përpara të gjitha vendet ose kanë për të rënë të gjitha.

“Epoka e re”: Z. Haziri, jeni të kënaqur me rolin e LDK-së si parti opozitare?
Haziri: Aktualisht jemi të hendikepuar për shkak se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është në rehabilitim shëndetësor. Kemi besim se shumë shpejt kryetari Mustafa do t’i kthehet familjes, LDK-së dhe jetës politike në Kosovë. Ai ka lënë një zbrazëtirë politike edhe më tutje të pazëvendësueshme, por pjesa tjetër është funksionale. E përmenda këtë vetëm si rrugë të punës, sepse LDK-ja sillet me racionalitet politik dhe me dinamikë politike që unë e përshkruaj se asnjëherë nuk ngutemi, por asnjëherë nuk vonohemi. Kjo është rruga dhe ritmi që LDK-ja e mban. Me rikthimin e kryetarit Mustafa, LDK-ja do ta ketë një dinamikë të re të punës si opozitë.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, ka thënë se është arrestuar…