Raundi i dytë i bisedimeve për paqe në Ukrainë do të mbahet më 25 shkurt në Riad

23 shkurt 2025 | 09:08

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar një fazë të re të negociatave të armëpushimit të luftës në Ukrainë midis delegacioneve amerikane dhe ruse në një deklaratë të publikuar nga rrjeti i shërbimit publik, C-Span.

Trump tha se bisedimet do të zhvillohen në kryeqytetin saudit Riad më 25 shkurt, një javë pas raundit të parë që u zhvillua në të njëjtin vend.

Pas takimit, Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se të dyja palët kishin rënë dakord gjerësisht për të ndjekur tre qëllime: rivendosjen e personelit në ambasadat e tyre përkatëse në Uashington dhe Moskë; krijimin e një ekipi të nivelit të lartë për të mbështetur bisedimet e paqes në Ukrainë; dhe mbajtjen e marrëdhënieve më të ngushta dhe bashkëpunim ekonomik.

Ai theksoi megjithatë se bisedimet, në të cilat morën pjesë homologu i tij rus Sergej Lavrov dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë, shënuan fillimin e një bisede dhe duhet bërë më shumë punë.

Bëhet e ditur se Lavrov e cilësoi takimin si “shumë të dobishëm”.

Por, për faktin se në takim nuk ishte i ftuar asnjë zyrtar ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se nuk do të pranonte asnjë vendim nga ato bisedime.

Edhe aleatët evropianë kanë shprehur gjithashtu shqetësimin se ata po mënjanohen.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Ryabkov ka thënë se janë duke u zhvilluar përgatitjet për një takim ballë për ballë mes Trumpit dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, duke shënuar një zhvendosje dramatike nga izolimi perëndimor i Moskës për luftën e saj në Ukrainë.

Duke folur për mediat shtetërore ruse, Ryabkov tha se një samit i mundshëm Trump-Putin mund të përfshijë bisedime të gjera mbi çështjet globale dhe jo vetëm luftën në Ukrainë.

“Çështja ka të bëjë me fillimin e lëvizjes drejt normalizimit të marrëdhënieve midis vendeve tona, gjetjen e mënyrave për të zgjidhur situatat më akute dhe potencialisht shumë, shumë të rrezikshme, prej të cilave ka shumë, mes tyre edhe Ukraina”, tha ai.

Por sipas Ryabkov, përpjekjet për të organizuar një takim të tillë janë në një fazë të hershme dhe se realizimi i tij do të kërkojë “punën përgatitore më intensive”.

Ndryshe, raundi i parë i negociatave të paqes bëri që aleatët evropianë të mblidheshin rreth Zelenskyt, të nervozuar nga qëndrimi i perceptuar i Trumpit ndaj Moskës dhe frikës se negociatat e paqes do të zhvilloheshin pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës dhe favorizimin e Rusisë.

Së fundmi, Trump u duk se u tërhoq nga komentet e tij të mëparshme që fajësonin Kievin për fillimin e luftës, por këmbënguli se Zelensky dhe ish-presidenti Joe Biden duhet të kishin bërë më shumë për t’u pajtuar me Putinin.

“Rusia sulmoi, por ata nuk duhet ta linin të sulmonte”, tha ai gjatë një interviste në Fox News

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Babai në Fushë-Kosovë e ka raportuar të zhdukur vajzën e…