Reagim i KMDLNj-së: A do të jetë Drazha Mihajlloviq dëshmitar i Dhomave të Specializuara?
Për gjeneratat e reja një sqarim se kush ishte Drazha Mihajlloviq dhe roli i tij. Drazha Mihajlloviq ishte ideolog dhe udhëheqësi i Lëvizjes Çetnike para dhe gjatë luftës së dytë botërore, i shquar për krimet e tmerrshme ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Trashëgimtar i politikës së tij kriminale ishin Vojisllav Sheshel dhe Arkani, si figura më të shquara politike dhe kriminale. Tash, emrin e tij e mban siç thotë me krenari një policë i Serbisë në Kosovë përkatësisht në Mitrovicë i përkatësisë rome me ish-emrin Lulzim Ademi.
Sipas KMDLNj-së, në Mitrovicë Drazha Mihajlloviq, si udhëheqës i Policisë së Serbisë në një inkursion të dhunshëm në fshatrat Koprivë dhe Broboniq, më 20 maj 1999 ka përgjegjësi për vrasjen e së paku 6 civilëve shqiptarë, vënien e zjarrit të 141 shtëpive të shqiptarëve, plaçkitje të pasurive të shqiptarëve dhe zhvendosje të dhunshme të banorëve shqiptarë të asaj pjese të Kosovës e që përbënë elemente të dyshimit të bazuar për veprën penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër civilëve të paarmatosur. Realisht, Drazha Mihajlloviq dyshohet për ekzekutim arbitrar dhe pa gjyq të së paku 6 civilëve shqiptarë.
Po i njëjti ishte arrestuar nga Policia e UNMIK-ut në fund të vitit 1999 dhe ishte vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, e administruar 100 për qind nga ndërkombëtarët.
Në vitin 2000 nga ajo qendër ishin “arratisur” 23 të burgosur afërsisht 17 – 18 prej tyre të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në mesin e të arratisurve ishte polici i Serbisë me emrin Lulzim Ademi tash me emrin Drazha Mihajlloviq. Vet ndërrimi i emrit të tij nga Lulzim Ademi në Drazha Mihajlloviq e tregon qartë natyrën dhe përcaktimin e tij kriminal kundër shqiptarëve.
Në atë kohë KMDLNj-ja pati ngritur dyshime se nuk ishte arratisje e organizuar por se vet autoritetet e UNMIK-ut bashkë me autoritetet e Qendrës së Paraburgimit, pasi i kishin marrë informacionet e nevojshme ua kishin krijuar të gjitha mundësitë për t’u “arratisur”, duke i liruar ata. Që nga “arratisja” është ditur adresa e të burgosurve për faktin se janë ekspozuar në media e sidomos krimineli Drazha Mihajlloviq që jeton në Novi Sad. UNMIK-u e as EULEX-i më vonë, asnjëherë nuk kanë kërkuar ekstradimin e tyre nga Serbia si të dyshuar për krime serioze të cilat as nuk falen e as nuk vjetërsohen. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit UNMIK dhe EULEX-i i kanë dosjet e këtyre të dyshuarve për krime lufte por kurrë nuk kanë kërkuar përgjegjësi nga Serbia e duket as ndihmë nga INTERPOL-i.
Nëse e kemi parasysh faktin se në mesin e shumë dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-ushtarëve dhe ish-komandantëve të UÇK si dhe politikanëve të nivelit më të lartë në Kosovë, tash të paraburgosur në Hagë, ka shumë policë, udhëheqës policorë dhe ushtarakë të Serbisë atëherë lehtësisht mund të dyshohet se edhe Drazha Mihajlloviq, i konvertuar nga një i dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë do të jenë dëshmitarë të besueshëm të ZPS-së sikurse edhe të tjerët të “arratisur” nga burgu i Mitrovicës në vitin 2000, të dyshuar për krime lufte. Pikërisht këtu qëndron defekti i gjykatës Speciale sepse shkallën e përgjegjësisë penale për të arrestuarit e përcakton në bazë të përkatësisë etnike për shqiptarët kurse , në anën tjetër i amniston nga mos ndjekja penale të dyshuar për krime lufte gjithashtu, sipas parimit etnik si puna e Drazha Mihajlloviqit, ish-Lulzim Ademit për faktin se ishte rom kurse tani është deklaruar si serb.
Për këtë arsye Prokuroria Speciale e Kosovës -Departamenti për Krime Lufte duhet me urgjencë të ndjekë për krime lufte në bazë të përgjegjësisë komanduese udhëheqësit e policisë serbe, Njësive Paramilitare që kanë qenë pjesë e formacioneve të rregullta të Policisë dhe Ushtrisë serbe, udhëheqësit e Ushtrisë serbe dhe si udhëheqësit politikë të Serbisë. Angazhimi i deritashëm i PSK në ndjekje të përgjegjësve për krime lufte, përkundër vullnetit të dëshmuar, nuk siguron drejtësi për viktimat e as përgjegjësi për kriminelët sepse merren me nivelin më të ulët të përgjegjësisë, në vend se të merren me kokat e krimit. Nëse nuk kanë mundësi t’i arrestojnë kokat kriminale të Serbisë që kanë planifikuar, promovuar, nuk e kanë penguar krimin dhe e kanë bërë krimin atëherë ndaj tyre duhet të organizohen procese gjyqësore në mungesë (e lejon ligji) dhe të shpallen persona në kërkim.