Reagim i KMDLNj-së: A po bëhet Kosova shoqëri e kontrolluar nga parapolitika brenda institucioneve

01 nëntor 2024 | 12:07

Nëpër media po qarkullon lajmi se gazetarit Vehbi Kajtazi i është vënë një mjet në automobilin e tij, deri tash nuk dihet nga kush dhe për çka shërben. Gjithashtu ishte një informatë se gazetarët Ilir Mirena, Berat Buzhala, Vehbi Kajtazi, Lirim Mehmetaj dhe të tjerë po përcillen nga një strukturë brenda AKI-së e që nuk i raportuaka shefit të AKU-së por shefit të parapolitikës, Dejona Mihali. Kjo u përgënjeshtrua nga shefi i AKI-së gjatë një përpjekje për të raportuar para Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, në rrethana të tensioneve dhe kërcënimeve. Prokuroria Themelore në Prishtinë mohoi se po hetohen gazetarët Lirim Mehmetaj dhe Vehbi Kajtazi por se vetëm po mblidhen informata. Në anën tjetër punësimet në baza politike, partiake dhe nepotiste kanë hyrë në kriminalitet të thellë duke shkelur të drejtat elementare të njeriut, barazi gjatë konkurrimit dhe respektim të konkursit. Tash, ky veprim kriminal as që po bëhet në mënyrë të fshehtë, kombinimet për punësim po bëhen haptazi sikur që ndodhi, gjithnjë sipas raportimeve të mediave në MPJD dhe Ministri të Bujqësisë, ministrat e të cilave janë bashkëdrejtues të një subjekti politik të pozitës.
KMDLNj kërkon nga Prokuroria e shtetit të bëjë hetime për këto dyshime që rëndë shkelin të drejtat e njeriut sikur që e shkelin dhe dhunojnë institucionin e konkursit. Përcjellja e qytetarëve të Kosovës dhe të tjerëve bëhet vetëm me urdhër të gjykatës e jo të individëve që e keqpërdorin besimin e dhënë nga qytetarët për qëllime politike dhe partiake.
Edhe raporti i fundit i Progresit qartazi e thotë se ndaj gazetarëve që nuk i binden regjimit po ushtrohet presion përmes kërcënimeve në përpjekje të pengojnë punën e tyre. Gjithashtu, presioni ndaj Prokurorisë dhe Gjykatave po merr karakter të linçimit publik përmes ndërhyrjeve flagrante të pushtetit, në përgjithësi dhe MD në veçanti.
Të drejtat e njeriut nuk mund të zbatohen sipas standardeve të dyfishte ku, në vend të dokumenteve ndërkombëtare dhe kombëtare për këto të drejta, si standard mbisundon përcaktimi politik dhe partiak.
Në prag të zgjedhjeve po krijohet një situatë e tensionuar, me një fjalor të ashpër dhe toksik që e rrezikon mbarëvajtjen e zgjedhjeve prandaj ligji duhet të veprojë ndaj të gjithëve që e promovojnë dhe zbatojnë fjalorin e urrejtjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me Këshilltarin Federal…