Reagim i KMDLNj-së: A po instrumentalizohet Policia e Kosovës nga politika?
Diplomatë ndërkombëtarë haptazi kanë shfaqur shqetësimin për instrumentalizim të Policisë së Kosovës nga politika duke theksuar specifikisht veriun e Kosovës, si shembull konkret të këtij instrumentalizimi. Në të njëjtën kohë këtë shqetësim e kanë adresuar edhe partitë opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile. Reagimi i institucioneve të pushtetit ka qenë rast tipik i interpretimit dhe zbatimit të standardeve të dyfishta; kur i ka konvenuar pushtetit puna e policisë, kanë lavdëruar aktivitetin e tyre ndërsa kur
Policia arrestonte pjesëtarë të pushtetit apo militantë partiakë, po e njëjta polici akuzohet se: “po bënë filma për t’i dëmtuar në zgjedhjet e ardhshme..”.
Rasti më eklatant i përpjekjeve për instrumentalizim të policisë nga politika dhe pushteti aktual ndodhi në Podujevë ku mosdurimi midis pozitës LV-së dhe opozitës, LDK-së, ka arritur pikën e vlimit dhe policia është thirrur nga politika – pushteti lokal të disiplinojë opozitën. Para një kohe ishte ndaluar nga policia një anëtar i LDK-së kinse kishte shqetësuar dhe kanosur kryetarin e komunës, Shpejtim Bulliqin, anëtar i LV-së.
Pastaj ishte denoncuar një anëtar i LV-së sepse paska sulmuar një të LDK-së. Dhe nuk përfundoi me kaq. Valon Demolli, asamblist i LDK-së në kuvendin komunal të Podujevës e që është edhe Shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së u ftua në stacionin policor në Podujevë për të dhënë një deklaratë për një aktivitet krejtësisht në përputhje me mandatin dhe detyrimet që i ka si asamblist i zgjedhur me votën e qytetarit. Në fshatin Buricë kishte informata se një kohë të gjatë mungonte uji për pije dhe higjienë e që shkaktonte shumë probleme për nxënës dhe arsimtarë sikur që kushtet ishin të rënda për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Në kuadër të mandatit dhe detyrimit si asamblist i zgjedhur, Valon Demolli, bashkë me asamblistë të kësaj partie vizituan shkollën fillore në fshatin Buricë të Podujevës për të adresuar shqetësimet e prindërve për kushtet e rënda për nxënës dhe personelin duke postuar një video për këtë vizitë. Pas kësaj, asamblisti Demolli që ka një aktivitet të intensifikuar prej opozitari u ftua nga policia e Kosovës për të dhënë deklaratë, duket sipas kërkesës së DKA të komunës së Podujevës (sipas komunikatës për media të asamblistit Valon Demolli).
KMDLNj ka informata se Policia e Kosovës ftohet shpesh në takime të natyrës jopolicore duke krijuar përshtypje se situatat janë buzë përshkallëzimit për faktin se pozita qenka rrezikuar nga opozita. Është fshehtësi publike se në komunën e Podujevës në mënyrë diskrete apo haptas mbahen shënime dhe përcillen vizitorët apo ata që kanë nevojë për shërbime komunale.
KMDLNj ia kujton policisë se asamblistët kanë imunitet dhe nuk mund të pengohen në punë që është në kuadër të mandatit dhe përgjegjësive që i kanë prandaj kundërshton çdo përpjekje për instrumentalizim të policisë nga politika pavarësisht nivelit të përfaqësimit. Valon Demolli dhe asamblistë tjerë, pavarësisht nga përkatësia partiake nuk duhet të pengohen në përmbushjen e mandatit dhe detyrimit ndaj qytetarit. Vizita e asamblistit Demolli në shkollën në Buricë paraqet interes për publikun sepse adreson mangësitë dhe problemet me të cilat përballen nxënësit, prindërit dhe arsimtarët duke kërkuar zgjidhje. DKA dhe autoritetet komunale në Podujevë duhet të jenë përkrahës të aktiviteteve të tilla sepse janë adresa e përgjegjësisë sikur edhe mundësia për zgjidhje të problemeve të adresuara. Këto shqetësime të drejta të asamblistëve janë në funksion të realizimit dhe përparimit të drejtave të njeriut sikur që çdo veprim për instrumentalizim të policisë së Kosovës është në kundërshtim të plotë me te drejtat e njeriut.