Reagim i KMDLNj-së: Bojkotimi i seancave të kuvendit, papërgjegjësi institucionale dhe ligjore

17 tetor 2024 | 15:47

Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga partitë që qeverisin aktualisht, bojkotuan tre seancat e jashtëzakonshme që kishte kërkuar opozita në ndërkohë që opozita ka marrë pjesë por se nuk kanë pasur mundësi të votojnë asnjë rezolutë apo dokument tjetër shkaku i mungesës së kuorumit. Në praktikat e mira parlamentare, shumë rrallë ndodhë që pozita të bojkotojë seancat që thirren nga opozita dhe t’i shmanget debatit parlamentar për çështje që paraqesin interes për publikun dhe për çka edhe kanë kërkuar vota. Kuvendi i Kosovës mbase është institucioni më përtac dhe më jofunksional në Kosovë ndonëse deputetët marrin paga dhe mëditje të majme për mospunën e tyre e mbase edhe për bojkotimin e punës së Kuvendit në baza etnike dhe politike. Lista Serbe është prijatare dhe shpërdoruesja më e madhe e përgjegjësive që burojnë nga ligji sikur edhe mjeteve të Buxhetit të Kosovës. Një kohë të gjatë nuk marrin pjesë në seanca të Kuvendit të Kosovës dhe, për të mos e djegur mandatin e deputetit, një herë në gjashtë muaj nënshkruhen në regjistrin e Kuvendit për ta lëshuar menjëherë seancën. Abuzim i pamoralshëm që ua mundëson Rregullorja e Punës e Kuvendit e që urgjentisht duhet të ndryshojë ky dokument që mundëson shpërdorim të madh të Buxhetit të Kosovës. Deputetët e shumicës së Kuvendit të Kosovës kanë detyrim kushtetues të marrin pjesë në seanca e jo t’i bojkotojnë ato. Me bojkotimin e tre mbledhjeve të Kuvendit, deputetët e Kuvendit të Kosovës po shpërfillin votën e votuesve të tyre dhe të qytetarëve duke treguar mungesë respekti për ta dhe duke u legjitimuar si shkelës të mandatit dhe të Kushtetutës. Duke qenë shumicë absolute ata pengojnë çdo nismë parlamentare përmes bojkotimit të pamoralshëm dhe të paarsyeshëm të seancave të Kuvendit të Kosovës.
KMDLNj dënon çdo bojkotim të seancave të Kuvendit të Kosovës dhe kërkon që ndaj deputetëve abuzues të ndërmerren masa, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike.
Në këtë mënyrë deputetët bojkotues ua shkelin brutalisht të drejtat e njeriut të votuesve që i kanë votuar por edhe të atyre që nuk i kanë votuar për faktin se deputetët kanë detyrim të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve që kanë votuar. Qartazi, këtë nuk po e bëjnë andaj duhet të sanksionohen në paga dhe mëditje. Nuk ka mënyrë tjetër që të vetëdijesohen këta abuzues!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico…