Reagim i KMDLNj-së / Demonizimi i padrejtë dhe i panevojshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës
Pas zhvillimeve që përfunduan tragjikisht javën që shkoi me ç’rast humbën jetën një polic i Serbisë në Lloznicë që dyshohej se u vra nga shtetasi i Kosovës, Faton Hajrizi, edhe ky i vrarë nga policia serbe, në Kosovë kërkohej fajtori dhe thuaja e tërë përgjegjësia adresohej te Shërbimi Korrektues i Kosovës. Shtizat e përgjegjësisë u drejtuan te SHKK-ja duke e ndërlidhur me rastin e Faton Hajrizit i cili, kohë më parë u largua nga Burgu i tipit të hapur në Smrekonicë për të kaluar pastaj në Serbi në përpjekje për të shkuar në perëndim. U folë për trajtimin jo të mirë ndaj Faton Hajrizit pasi në vitin 2000 kishte vrarë një ushtar rus e që u dënua me 6 vite burg efektiv. Në atë kohë KMDLNj-ë ka vizituar Fatonin në burgun e Dubravës dhe kërkesa kryesore ka qenë që të transferohet në burgun për të mitur por se ndërkombëtarët që realisht kanë udhëhequr me SHKK nuk kanë pranuar. Në vitin 2000 vendorët nuk kanë vendosur asgjë për të burgosurit dhe SHKK, vendimmarrja ka qenë 100 për qind e ndërkombëtarëve. Me kalimin e kohës, SHKK-së i janë dhënë disa përgjegjësi që SHKK i ka shfrytëzuar për ngritjen e cilësisë së punës, profesionalizimin e shërbimeve dhe trajtimin e personave të privuar nga liria, në përputhje me Ligjin për Ekzekutime të Sanksioneve Penale dhe të drejtat e njeriut. Këtë punë e ka bërë, i mbikëqyrur (kontrolluar) nga ndërkombëtarët dhe ndërhyrjes së vazhdueshme të politikës vendore pavarësisht se kush ishte në pushtet. Kësaj i shtohet edhe monitorimi i punës së SHKK-së nga OJQ-të që kryesisht, me identifikimet e problemeve dhe rekomandimet kanë ndihmuar shumë SHKK-në.
Në përgjithësi, KMDLNj e vlerëson pozitivisht punën e SHKK-së pavarësisht problemeve objektive apo subjektive. Në aspektin e trajtimit të personave të privuar nga liria, në përputhje me rrethanat dhe mundësitë, SHKK është akademi krahasuar me vendet e rajonit. Sot, SHKK-ë sulmohet nga dy adresa, e para nga publiku, analistë dhe personalitete që shumë pak e njohin punën e SHKK-ës dhe më shumë pohimet e tyre janë perceptim emocional se sa që kanë mbështetje në fakte. Jo gjithherë deklaratat e të privuarve nga liria janë të sakta dhe të vërteta dhe këto jepen nga këndvështrimi personal nëse kanë përfituar diçka apo jo. E keqja është pikërisht te deklaratat e atyre që kanë përgjegjësi dhe mandat ligjor ta ndihmojnë zhvillimin e SHKK-së duke e mbikëqyrur punën, duke e ndihmuar profesionalisht dhe duke mos e cenuar pavarësinë përmes ndërhyrjeve politike e ata janë deputetët e Kuvendit të Kosovës (komisionet përkatëse) dhe qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë. Ministria për Punë të Brendshme ka përgjegjësi vetëm për qendrat e ndalimit policor, 48 orësh kurse Ministria e Drejtësisë ka përgjegjësi për qendrat e paraburgimit dhe institucionet korrektuese – burgjet ku SHKK-ja e bënë ekzekutimin e LESP-it. SHKK-ja nuk ka mandat ligjor të lirojë asnjë të dënuar, qoftë as edhe një ditë të vetme por ka mandat të përgatis dosjet dhe propozimet e të dënuarve për Panelin për Lirim me Kusht, Komisionin ad hoc të Zyrës së Presidentit /es apo për gjykata. Dhe këtë e bënë në kuadër të ligjit për të gjithë ata që i plotësojnë kushtet. Për KMDLNj-në është e habitshme dhe pa asnjë takt deklarata e ministres së Drejtësisë se: “Serbia paska hyrë në burgjet e Kosovës duke ndihmuar arratisjen e disa të burgosurve që pastaj gjejnë strehim në Serbi….”
Në bazë të përvojave monitoruese të KMDLNj-së ky pohim, jo që nuk është i vërtetë por se është skajshmërisht i pavërtetë, qëllimkeq dhe nuk mbështetet në asnjë fakt apo logjikë..”. Madje, pas marrjes së përgjegjësive, as në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të Veriut, Serbia nuk ka pasur asnjë ndikim. Në vitin 2000 ndërkombëtarët kanë liruar 20 serbë dhe romë nga qendra e paraburgimit në Mitrovicë të Veriut, pjesa dërrmuese e të cilëve dyshoheshin për krime lufte, duke e kontrabanduar si arratisje. Rasti tragjik i Faton Hajrizit nuk i jep të drejtë askujt të sulmojë SHKK-në aq më pak ministres së Drejtësisë e cila, sipas përgjegjësisë institucionale duhet ta përkrahë SHKK-në. Institucionet përkatëse duhet të merren seriozisht me deklaratat e ministres së Drejtësisë, nëse pohimet e saj janë të vërteta duhet të merren masa ligjore ndaj atyre që kanë përgjegjësi, në të kundërtën ministrja duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë morale dhe ligjore. Nuk ka mundësi tjetër. KMDLNj e kundërshton deklaratën e zv/kryeministrit që është shumë cilësuese për Faton Hajrizin. Vetëm gjykatat e bëjnë cilësimin e veprave pas administrimit të provave pas së cilave edhe i shqiptojnë dënimet. KMDLNj gjithashtu i dënon kërcënimet që iu bëhen gazetarëve të mediave të ndryshme pas raportimit për rastin në fjalë. KMDLNj i ka parë disa kërcënime që vërtetë janë frikësuese dhe kërcënojnë punën e gazetarëve.
Pas rastit në fjalë, KMDLNj ka rekomanduar SHKK-në të rrisë masat e sigurisë për serbët që janë në institucionet e mbajtjes në Kosovë në mënyrë që të eliminohet çdo mundësi e përshkallëzimit të situatës.
KMDLNj kërkon të ndalen sulmet ndaj SHKK-së dhe të vlerësohet puna e mirë që e kanë bërë dhe po e bëjnë. KMDLNj kërkon që politika të qëndrojë larg SHKK-së, mos të ndërhyjë në punën e saj që është krejtësisht e natyrës profesionale. KMDLNj nuk pajtohet me propozimin e opozitës për një seancë ku do të diskutohej për arratisjet e fundit sepse arratisje kishte edhe në qeveritë paraprake sikur që do të ketë edhe në qeveritë e ardhshme. Në vend të kësaj, opozita duhet të kërkojë krijimin e një komisioni hetimor që do ta bënte auditimin e punës së SHKK-së për pesë vitet e fundit ku do të hetoheshin gradimet dhe degradimet që janë bërë në SHKK, shkarkimet e profesionistëve dhe zëvendësimi i tyre me aktivistë politikë, transferimi i të dënuarve në Burgun e Smrekonicës nëse janë bërë në përputhje me kriteret e kërkuara, lidhja familjare dhe politike e të transferuarve pas së cilës do të plotësohej mozaiku i gjendjes reale. Për këtë opozita duhet të këmbëngulë dhe pas kësaj do të ketë raste të bollshme për Prokurorinë e Shtetit. Politikanët duhet ta bëjnë punën e tyre kurse profesionistët të tyren. Për KMDLNj-në është jashtë çdo logjike që profesionistët e SHKK-së, pas pensionimit mbesin të paangazhuar e që në fushat tjera ndodhë e kundërta. KMDLNj e përkrahë punën e mirë që e bënë SHKK. Dyshuesit dhe kritikuesit perceptiv, le t’i lexojnë raportet e shteteve fqinje dhe lajmet për zhvillime në ato burgje si, Shqipëria, Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, etj,.