Reagim i KMDLNj-së: Dhunuesit e pensionistëve dhe kategorive sociale
Që nga ardhja në pushtet, qeveria Kurti 2 jo që nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e kushteve për pensionistët dhe kategoritë sociale, përkundrazi vetëm sa ka përkeqësuar gjendjen e tyre duke përshpejtuar varfërimin e kësaj kategorie edhe ashtu materialisht të cenueshme.
Gjatë mandatit të qeverisë Kurti 2 e që ka hyrë në muajt e fundit të mandatit të plotë çmimet e shportës familjare janë rritur, në disa artikuj edhe mbi 100 për qind e sidomos qytetarët e cenueshëm janë përballur me fatura të papërballueshme të energjisë elektrike për të cilat ose është dashur të hyjnë borxh, ose të marrin kredi te institucionet mikrofinanciare që ua rrjepin lëkurën me kamata të larta. Me pensionet (lëmoshën) që e marrin, shumica e pensionistëve apo përfituesve të skemave sociale nuk mund t’i sigurojnë as nevojat elementare, madje kanë vështirësi të sigurojnë barërat apo trajtimin mjekësorë.
Pensionistët dhe përfituesit e skemave sociale nuk kanë jetë normale por përpiqen të mbijetojnë në kushte skajshmërisht të padinjitetshme për shkak të mospërkrahjes nga shteti. Të gjitha vendet e rajonit e që kanë rënie ekonomike të shoqëruar me rritje të inflacionet për periudhën 4 vjeçare disa herë kanë rritur pensionet dhe skemat sociale sikur që e kanë bërë indeksimin e tyre, në përputhje me shkallën e inflacionit.
Qeveria e Kosovës nuk e ka bërë as të parën e as të dytën por, në vazhdimësi ka dhunuar të drejtat e njeriut të këtyre kategorive sociale të cenueshme. Tash, pasi janë shpallur zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, qeveria e Kosovës për qëllime ekskluzivisht elektorale ka rritur, dy herë pagën minimale me tavan 350euro e që është përsëri më e ulëta në Ballkan, pakrahasimisht më e ulëta.
KMDLNj është e sigurt se kjo qeveri josociale, para zgjedhjeve do të rrisë minimalisht pensionet dhe lëmoshat sociale e që aspak nuk do ta përmirësojnë mirëqenien e këtyre kategorive mbijetuese. Qeveria e Kosovës, me trajtimin jonjerëzor dhe josocial të këtyre kategorive brutalisht ua ka shkelur të drejtat e njeriut. Shkelje të tillë ka bërë edhe ndaj veteranëve të luftës duke mos i përfshirë në rrogën minimale ekskluzivisht për qëllime politike.
Thuhet se Buxheti i Kosovës është rritur krahasuar me vitet paraprake e që domosdoshmërish do të duhej ta përmirësojë mirëqenien e qytetarëve që edhe ka qenë premtimi kryesor elektoral. Në Kosovë nuk ka investime kapitale, ndërtim të infrastrukturës rrugore, shkollave, çerdheve dhe investime për qytetarët andaj shtrohet pyetja se ku është shpenzuar ky buxhet.
KMDLNj ia përkujton qeverisë se të drejtat e njeriut nuk nënkuptojnë vetëm që mos të rriheni, arrestoheni apo gjykoheni në kundërshtim me ligjet por se këto të drejta nënkuptojnë një trajtim profesional shëndetësor, arsim cilësor në të gjitha nivelet, një vend pune dhe një pagë e dinjitetshme, trajtim njerëzor të grupeve të cenueshme, përfaqësim përkatës dhe të drejtë politik, shërbime cilësore dhe barazi para ligjit.
Thuaja në të gjitha segmentet, qeveria e Kosovës ka dështuar plotësisht duke e bërë të qartë adresën e shkelësve të të drejtave të njeriut, e që është pikërisht kjo qeveri. Pensionistët dhe kategoritë sociale duhet të kërkojnë rritje të dinjitetshme të pensioneve sikur edhe indeksimin i cili do të zbatohej në mënyrë retroaktive dhe në përputhje me shkallën e inflacionit gjatë periudhës së indeksimit. Në të kundërtën, këto kategori duhet të protestojnë për realizimin e të drejtave të tyre, brutalisht të mohuara nga qeveria Kurti 2 sikur edhe të mendojnë nëse ia vlen të marrin pjesë në zgjedhje.