Reagim i KMDLNj-së: Dita Ndërkombëtare e Demokracisë dhe Gjykata Speciale
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 16 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë e cila, varësisht nga niveli i zhvillimit të demokracisë, perceptimit të saj, nevojave politike, diku festohet, diku shënohet kurse në disa vende edhe injorohet. Realisht, sidomos në vendet ku transicioni zgjatë më shumë, Kosova është e tillë, demokracia më shumë apo kryesisht imponohet nga jashtë, nga shtetet që kanë ndikim të fuqishëm politik dhe ekonomik, prandaj edhe i nënshtrohet inercionit të kushtëzuar nga të fortit e botës e që ambalazhohen si të drejta të njeriut. Edhe në Kosovë kjo ditë shënohet, nuk festohet, me aktivitete simbolike dhe retorikë të stërlodhur të politikanëve kosovarë, të pozitës apo opozitës.
Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi Nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara për të cilin votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Po bëhen më tepër se 4 vite që po mbahen në paraburgim presidenti Hashim Thaçi, kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe kryetari i GP të LVV-së, Rexhep Selimi. Më parë ishin dënuar me dënime drakonike drejtuesit e OVLUÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, tash të liruar me kusht dhe me gojë të mbyllur, Pjetër Shala pret shqiptimin e dënimit ndërsa të burgosurit tjerë, ose janë duke u gjykuar apo në pritje të gjykimit. Salih Mustafa, komandant Cali, në kundërshtim me çdo logjikë juridike dhe duke dhunuar brutalisht nga ana e gjykatës të drejtën e zbatimit të ligjit më të favorshëm për të akuzuarin, nga burokratë të kësaj gjykate u dënua me 26 vjet burg.
Trupi gjykues iu nënshtrua padenjësisht kryetares së Gjykatës Speciale e cila, në disa intervista deklaronte se të burgosurit e Hagës mund të dënohen me burg të përjetshëm që ishte qëndrim paragjykues dhe ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit. Krimi juridik ndaj Salih Mustafës u zbutë paksa me një ulje simbolike të dënimit ndërkaq Gjykata e Apelit, pasi e shqyrtoi rastin erdhi në përfundim se tavani i dënimit, kur të zbatohet ligji më i favorshëm për të dënuarin është 15 vjet.
Gjykata Speciale në Hagë deklarohet se është pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe se punon sipas ligjeve të Kosovës që aspak nuk është e vërtetë, është mashtrim ordiner. Kjo Gjykatë nuk e ka asnjë shenjë identifikuese të Kosovës, nuk i përgjigjet me asgjë Kosovës, nuk lejon monitorim të pavarur, është tmerrësisht jotransparente duke dhunuar parimin e publicitetit përmes seancave të mbyllura, redaktimit jonormal të materialeve, përjashtimit të publikut dhe mospërkthimit me kohë të materialeve për të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në gjuhën që e kuptojnë e që është e drejtë elementare e njeriut, si njëra ndër vlerat kryesore të demokracisë. Për raste të ngjashme në Kosovë, kur serbët e dyshuar janë dënuar për krime lufte dhe kur nuk është zbatuar ligji më i favorshëm për të dënuarin, reagimi ndërkombëtar ka qenë i menjëhershëm dhe i rreptë, për rastin e Salih Mustafës nuk pati asnjë reagim hiç këtu reagimeve individuale ndërkaq munguan reagimet institucionale shkaku se, ose kishin frikë se do të akuzohen për ndërhyrje në drejtësi ose, në anën tjetër pozita aktuale dhe një pjesë e opozitës ishin të kënaqura me këtë dënim për faktin se kishin dhënë kontribut konkret për këtë.
Për KMDLNj-në është i papranueshëm fakti që deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk guxuam apo nuk deshën që në një seancë apo edhe në disa seanca të diskutohet për shkeljet flagrante të drejtave të njeriut që i bëhen të burgosurve në Hagë, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, themelues dhe bartës të luftës së UÇK-së, shpallës së pavarësisë së Kosovës, ndërtues të shtetit dhe të paqes që çnjerëzisht po trajtohen nga kjo Gjykatë dhe vet shteti i Kosovës, në kundërshtim me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutën e Kosovës dhe, specifikisht në kundërshtim me Konventën kundër Trajtimit Degradues dhe Çnjerëzorë.
Prandaj është hipokrizi profesionale dhe morale që të flitet për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë kur kemi dhunim praktik dhe brutal të demokracisë ndaj të burgosurve që po mbahen peng në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.