Reagim i KMDLNj-së / Me çka të krenohemi për 25-vjetorin e çlirimit?!

13 qershor 2024 | 13:11

Dje në Prishtinë u festua 25-vjetori i çlirimit të Kosovës përmes aktiviteteve të ndryshme e që dominante ishte parakalimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës, si veprim që u përshëndet nga shumë qytetarë të Kosovës dhe të ardhur nga diaspora. Në çadrën e improvizuar ishin mysafirë të ftuar nga jashtë e që kishin shërbyer në Kosovë gjatë dhe pas përfundimit të luftës, ushtarakë dhe politikanë. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës që nuk kishin dhënë asnjë kontribut për çlirimin e vendit ishin në radhët e parë kurse ata që sakrifikuan personalisht dhe familjarisht ishin në rreshtin e parafundit. Çfarë injorimi i çlirimtarëve nga injorantët e pushtetshëm!

Po si e gjeti Kosovën 25-vjetori i çlirimit?

Paradoksalisht dhe pashpjegueshëm nga aspekti logjik, i arsyes dhe material, Kosova, në vend të jetë afër integrimit në BE, është nën maskën e sanksioneve për më tepër se një vit, pa asnjë njohje ndërkombëtare gjatë këtij mandati afërsisht të plotë qeverisës dhe plotësisht e dështuar në anëtarësim në institucionet ndërkombëtare ndërkaq dështimi kapital ishte mosantarësimi në Këshillin e Evropës. Realisht, Kosova është pa Ministri të Jashtme funksionale. Në aspektin e mirëqenies ekonomike dhe sociale qytetarët e Kosovës po bëjnë luftë për mbijetesë duke u përballur me rritje të papërballueshme të çmimeve të artikujve elementarë ushqimorë, rritje jonormale të faturave të rrymës dhe shërbimeve. Kategoritë më të cenueshme të qytetarëve të Kosovës siç janë pensionistët, përfituesit e skemave sociale, të luftës dhe veteranët e UÇK-së brutalisht po dhunohen nga një ministër i papërgjegjshëm, jonjerëzor dhe mohues që, për dallim nga ministrat e shteteve fqinje, këtyre kategorive për asnjë cent nuk ua ka rritur pensionet ndonëse në vendet fqinje pensionet janë rritur disa herë dhe përcjellin shkallën e inflacionit. Ministri aktual i financave në Kosovë ndaj këtyre kategorive po e zbaton eutanazinë materiale që nënkupton që jo se nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e cilësisë së jetës, përkundrazi, edhe vdekjen ua ka bërë më të padinjitetshme. Çfarë dhunuesi i të drejtave të njeriut! Arsimi më shumë prodhon analfabetë jofunksionalë se analfabetë funksionalë sepse udhëhiqet nga një analfabete krejtësisht e paaftë për postin që e mbanë. Sikur edhe ministritë tjera, me përjashtime simbolike.
Në datat simbolike të burgosurit shpresojnë dhe presin mëshirën e shtetit e cila nuk iu mohohet as në regjimet më diktatoriale. Në Kosovë kjo e drejtë iu mohohet 100 për qind nga një presidente që brutalisht e shpërdoron të drejtën që ia jep Kushtetuta e Kosovës për të falur të burgosur që i plotësojnë kushtet e parapara me ligj dhe që këtë falje e kanë merituar me sjellje të mirë. Askush normal në Kosovë nuk mund të besojë dhe të bindet që asnjëri nga, së paku 1600 të burgosur në Kosovë nuk e meriton falje nga presidentja me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. KMDLNj, me të drejtë ka pritur se në këtë përvjetor jubilar të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja e Kosovës do të falë një numër të të burgosurve. Në vend të këtij lajmi e që në fakt nuk do të duhej të ishte lajm për një vend dhe shtet normal, në ditën e festimit të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, KMDLNj u informua se edhe një i burgosur vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë – Hajvali.
Në vend se kjo datë dhe ditë jubilare e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës të shërbejë për shprehje të respektit ndajë atyre që tërë jetën ia kushtuan luftës për çlirim duke e formuar dhe udhëhequr Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shtetndërtimit dhe konsolidimit të paqes e që tash janë në Burgun e Hagës duke u përballur me një proces ekskluzivisht në baza etnike, presidentit Hashim Thaçi, kryekuvendarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe shefit të GP të LV-së, Rexhep Selimi, absolutistët e pushtetit aktual nuk denjuan as që t’i përmendin duke e retushuar të kaluarën e lavdishme të çlirimtarëve. Përpjekje flagrante e ndryshimit të historisë. Parakalimi i FSK dhe Policisë së Kosovës ishte vetëm një fasadë prapa së cilës po bëhen përpjekje të fshehët dhe manipulohet gjendja e rëndë e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës që marrin kredi dhe hyjnë në borxhe për t’i shlyer faturat që janë bërë të papërballueshme. Për fat të keq sot qytetarët e Kosovës kanë mbetur në mëshirën e institucioneve të papërgjegjshme të Kosovës dhe përmbaruesve grabitqarë, si “garantues” për mbrojtjen e të drejtave njerëzore të tyre, hiç atyre që në një numër të madh e kanë lëshuar Kosovën!!!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për adresimin e…