Reagim i KMDLNj-së / “Ndihma” korruptive, për vota të korruptuara!
Ashtu siç pritej, Qeveria e Kosovës futi thellë duart në buxhetin e Kosovës duke ndarë “ndihma” për fundvit për fëmijët nga 0 deri në 16 vjet dhe pensionistë që nënkupton se secili “përfitues” do të fitojë nga 100 euro. Për fëmijët, pavarësisht statusit material që e kanë, “ndihma” do t’i përfshijë të gjithë, që nga kryeministri e deri te zyrtari i fundit. Kategoria më e cenueshme në Kosovë – pensionistët duket të jenë humbësit më të mëdhenj dhe me ta qeveria manipulon më së shumti për faktin se përbëjnë një trup të madh votues, edhe si individë ashtu edhe me familje.
Qeveria e Kosovës, thuaja në fund të mandatit të plotë qeverisës ka ngritur pensionet për 20 për qind në kohën kur vendet e rajonit i kanë ngritur shumë herë, në përputhje me shkallën e inflacionit. Nëse qeveria e Kosovës do ta bënte indeksimin e pensioneve dhe pagave për këto katër vite ku rryma dhe artikujt e domosdoshëm të shportës familjare janë rritur mbi 100 për qind, atëherë rritja e pensioneve prej 20 për qind do të ishte më zgjidhje e pranueshme, deri në krijimin e kushteve më të mira. Pasi u refuzua indeksimi e që parashihet me ligjet në fuqi, pensionet u zhvleftësuan në masën 30 – 40 për qind dhe në këtë mënyrë edhe me rritjen prej 20 përqindësh plus ato vitrat nga 100 euro, vlera e pensioneve është diku 85 – 90 për qind e vlerës reale në fillim të mandatit qeverisës prandaj Qeveria e Kosovës jo që nuk i ka ndihmuar pensionistët por i ka varfëruar edhe më shumë. Pjesa më e madhe e familjeve kosovare përballen me fatura të papërballueshme të rrymës, tatimit në pronë dhe blerjen e artikujve elementarë për mbijetesë që përbëjnë shportën familjare.
Prandaj janë të detyruar të marrin kredi, sidomos te institucionet mikrofinanciare që ua rrjepin shtatë palë lëkura, për të mbijetuar, nga muaji në muaj. Ndarja e “ndihmave”, një muaj e gjysmë para zgjedhjeve është, pa asnjë dyshim korrupsion institucional ku, pa asnjë skrupull moral e përgjegjësi institucionale caktohet vlera e votës e që është 100 euro. KMDLNj e denoncon këtë veprim korruptiv për të fituar vota klienteliste dhe kërkon të hetohet baza ligjore e ndarjes së “ndihmave”, pa përfillur kriteret sociale sepse ka për qëllim të ndërhyjë drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor dhe rezultatin e zgjedhjeve.
KMDLNj gjithashtu kërkon që subjektet politike të jenë më të kujdesshme gjatë premtimeve për rritje të pagave dhe pensioneve sepse këto oferta po i tejkalojnë gjasat reale minimale nëse kemi parasysh mundësitë buxhetore e që janë në shpërputhje të mëdha me premtimet. Veprimi i qeverisë është shpërdorues dhe korrupsion institucional sistematik për të blerë vota për faktin se këto “ndihma” aspak nuk ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe është një veprim paliativ që po përdoret si terapi për qetësim për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës që po përballen me probleme të mbijetesës.
KMDLNj thërret votuesit të tregohen të kujdesshëm para kutive të votimit duke u përcaktuar vetëm për propozimet që kanë mundësi të përmbushen. KMDLNj – ë ua përkujton votuesve që është e drejtë e njeriut por edhe detyrim ligjor të votojnë dhe gjithashtu është e drejtë e njeriut të kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetës përmes sigurimit të të ardhurave që ua mundësojnë një jetë të dinjitetshme nga puna apo pensioni i tyre.