Reagim i KMDLNj-së: Para Kuvendit të Kosovës duhet të raportohet për bisedime në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër dje, në një konferencë para mediave foli për ecurinë përkatësisht për dështimin e takimit në Bruksel pas së cilit faktorët vendimmarrës e fajësuan Kosovën në ndërkohë që për Serbinë deklaruan se: “ishte përgatitur mirë dhe kreu detyrat e shtëpisë, gjithashtu mirë…”.
Pas këtyre reagimeve aspak të mira për Kosovën, kryeministri Kurti tërë përgjegjësinë e adresoi të Lajçaku, i emëruar nga BE-ja për lehtësim të bisedimeve me arsyetim se Lajçaku bashkë me Vuçiqin kanë komplotuar kundër Kosovës dhe, për më keq, Lajçaku qëndrimet e Vuçiqit i ka paraqitur si qëndrime të tija që rëndë e kompromiton rolin e tij si ndërmjetësues i paanshëm nëse pohimet e kryeministrit Kurti dalin të sakta.
Pas kësaj, BE-ja dhe Departamenti i Shtetit Amerikan dolën në përkrahje të plotë të Lajçakut në ndërkohë që në Kosovë iu nënshtrua një pushkatimi publik, urbi et orbi. KMDLNj-ë edhe më herët ka shprehur rezerva ndaj Lajçakut dhe Borrellit mirëpo këta janë përfaqësues të BE -së dhe Kosova mund të caktojë përfaqësuesit e saj në këto bisedime por jo edhe të BE -së.
Pas këtyre, jo dyshimeve por akuzave publike të Kurtit ndaj Lajçakut, duhet të merret një qëndrim: a do të vazhdojë kryeministri Kurti të takohet me Vuçiqin me ndërmjetësim të Lajçakut dhe Borrellit? Pikërisht kjo do të duhej të ishte arsye e domosdoshme që kryeministri Kurti të thërras një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës dhe përmes adresimit të kësaj situate që, nëse është e vërtetë krijon një momentum të ri në bisedime e që për Kosovën do të ishte i papranueshëm.
Kryeministri Kurti do të duhej të kërkonte përkrahjen e Kuvendit, pozitë dhe opozitë duke ndërtuar një qëndrim të përbashkët në të cilin nuk do të formohej Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë pa njohje reciproke nga Serbia dhe garancion ndërkombëtar për këtë. Në vend se kryeministri Kurti ta kapë problemin nga koka (situata e re në bisedime me Serbinë ku përkrahja e opozitës është e domosdoshme) ai merret me zhdukjen e opozitës, slogan puropolitik dhe elektoral. Në këto çaste bisedimet me Serbinë janë prioritet absolut ndërsa zgjedhjet dhe zhdukja janë të krejtësisht të parëndësishme në këtë kohë.
Po në atë adresim para gazetarëve, zëvendëskryeministri Bislimi, me një patriotizëm patetik kërcënoi “mediat e financuara nga Beogradi” se ia paskan shtrembëruar intervistën që ia ka dhënë gazetës serbe “Danas” ku qartazi thuhej se Kosova ka bërë gabim që në Marrëveshjen e Brukselit paska hequr dorë nga njohja nga Serbia.
Është interesant pse Bislimi nuk ka reaguar menjëherë pasi intervista u bë publike, por këtë e bëri vetëm pas një jave pikërisht pas dështimit të takimit në Bruksel! Nuk është hera e parë që Bislimi sulmon mediat në kryerjen e mandatit dhe misionit që e kanë duke i ndarë në media të Serbisë dhe të tjera. Është lehtë të verifikohet e vërteta e Besnik Bislimit apo nëse citimi nga mediat kosovare të Serbisë (sipas Bislimit) janë qëllimkëqija dhe tendencioze.
KMDLNj-ja është kundër kësaj qasjeje të papërgjegjshme të zëvendëskryeministrit Bislimi ndaj mediave dhe atyre që nuk e ndajnë qëndrimin e njëjtë me të. Besnik Bislimi duhet të jetë njeriu i fundit në Kosovë që e bënë diferencimin e mediave dhe të tjerëve në patriotë dhe tradhtarë aq më parë që është shumë jotransparent në procesin që po e udhëheq e që po pëson goditje të vazhdueshme, të dëmshme për Kosovën.
Bartja e posteve me përgjegjësi kërkon përgjegjësi të lartë dhe përjashtim të çdo arrogance dhe shpërfillje. Duhet një hetim parlamentar për këtë çështje sepse përveç se është shkelje e të drejtave të njeriut, paraqet rrezik edhe për sigurinë e vendit.