Reagim i KMDLNj-së: Po shkelet seriozisht parimi i barazisë para Gjykatës Speciale
Në kohën kur Prokuroria Speciale në Hagë, e kritikuar shkaku i zvarritjes së procesit ngase ishte vonuar me thuaja të gjitha propozimet që mbështesin akuzën, mori vendim që të heqë dorë nga dëshmia para gjykate të disa dëshmitarëve, KMDLNj pati reaguar publikisht që të mos dëmtohen të akuzuarit duke ua larguar dëshmitarët që paraqesin interes për të akuzuarit. Pikërisht kjo edhe ndodhi pasi për këtë reagoi mbrojtja e presidentit Hashim Thaçi duke bërë publik faktin se Prokuroria Speciale në Hagë ka hequr dorë nga dëgjimi para Gjykatës Speciale të dy dëshmitarëve që paraqesin interes të jashtëzakonshëm për mbrojtjen. Nëse Gjykata Speciale e miraton propozimin e Dhomave të Specializuara për mosthirrjen e këtyre dëshmitarëve, atëherë, pa asnjë dyshim shkel parimin e barazisë së palëve në procedurë duke e pakësuar mbrojtjen efektive e që garantohet me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria duke pamundësuar një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika dhe grupet e interesit. Pasi kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të barazisë së palëve në procedurë, reagimi duhet të jetë i fuqishëm, si nga institucionet kosovare ashtu edhe nga organizatat apo institucionet monitoruese sikur që është Ombudpersoni i Holandës dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq sikur edhe nga Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Degradues i Kombeve të Bashkuara. Dhomat e Specializuara nuk kanë të drejtë që dëshmitarët t’i trajtojnë sipas standardeve të dyfishta; ata që paraqesin interes për këto dhoma t’i merr në pyetje sa të duan kurse ata që paraqesin interes për mbrojtjen , të mos ftohen fare. Gjykata Speciale nuk duhet të lejojë këtë , ndryshe do të identifikohet si shkelëse e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria dhe seriozisht do të vë në dyshim besimin në këtë gjykatë si dhe vendimet që i merr .
KMDLNj thekson se institucionet e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë duhet të reagojnë për shkelje të barazisë së palëve në procedurë dhe se ky reagim në asnjë rast dhe rrethanë nuk mund të merret si ndërhyrje në punën e Gjykatës Speciale në Hagë.
Edhe të akuzuarit duhet ta kundërshtojnë këtë propozim të Dhomave të Specializuara aq më parë që Prokuroria Speciale, dëshmitarët që i ka konsideruar të rëndësishëm për mbështetje të aktakuzës i ka konsumuar më herët.
Me shkeljen e barazisë së palëve në procedurë po shkelet brutalisht edhe parimi i prezumimit të pafajësisë.