Reagim i KMDLNj-së: Pse ishte Trandafilova në Prishtinë?!
Kryetarja e Dhomave të Specializuara – Gjykatës Speciale ishte në vizitë në Kosovë ku pati takime me EULEX-in, ambasadorin gjerman dhe ministren e Drejtësisë së Kosovës.
Për dallim nga vizitat e mëparshme, kësaj radhe nuk u takua me shoqërinë civile, mediat, nuk pati konferencë për media apo intervista për media të preferuara. Në vizitat e mëparshme i binte gurit dhe drurit duke e arsyetuar Gjykatën Speciale dhe postin që e ka në përpjekje për ta informuar publikun “për punën e mirë të kësaj Gjykate..”.
Kësaj radhe asnjë deklaratë as nga Trandafilova e as nga ministrja e Drejtësisë që nuk lë vend a mundësi pa kritikuar sistemin e drejtësisë të Kosovës në ndërkohë që Gjykatën Speciale nuk e kritikon anipse deklarativisht thuhet se është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës.
I vetmi që u deklarua ishte ambasadori Rohde me një deklaratë diplomatike.
Vizita e Trandafilovës, krejtësisht jotransparente është ana tjetër e medaljes së Gjykatës Speciale që mungesën e transparencës dhe llogaridhënies e ka shenjë dhe vulë identifikimi.
Duket se Trandafilova, në takim me EULEX-in mund të ketë biseduar për arrestime tjera eventuale apo sigurimin e dëshmitarëve të mbrojtur, me sajesa nga Serbia ndërsa me ministren e Drejtësisë mund të ketë biseduar për kompensimin e viktimave gjë që MD-ja ka deklaruar se nuk ka bazë ligjore për zbatim të vendimeve të Gjykatës Speciale.
Ekaterina Trandafilova duhet të deklarohet për shkelje të drejtave të njeriut të privuarve nga liria që janë në burgun e Hagës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. Duhet të deklarohet pse vonohet përkthimi i materialeve gjyqësore në gjuhën shqipe.
Nga aspekti i të drejtave të njeriut, vizita jotransparente e Trandafilovës është jolegale dhe e padëshiruar, për një shtet normal.
Për një vend me mendësi kolonialiste, kjo vizitë është e mirëseardhur.