
Reagim i KMDLNj-së: Sonny Playstation i Gjykatës Raciste Speciale
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri kërkesë për herë të katërt që t’i lejohet vizita humanitare për ta vizituar babanë e sëmurë dhe të moshuar. Arsyetimi i GJRS ishte në kundërshtim të plotë me të drejtat e personave të privuar nga liria e që garantohen me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Presidenti, Hashim Thaçi ishte në dy vizita humanitare në Kosovë duke respektuar me përpikëri kushtet e përcaktuara nga kjo Gjykatë për vizitat e tilla. Nuk ishte regjistruar asnjë shkelje nga z. Thaçi që do të përdorej si arsyetim për refuzim të kërkesës. Haxhi Thaçi, 86-vjeçar babai i presidentit Thaçi ishte pranuar në QKUK për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore. Autoritetet shëndetësore të QKUK-së kanë dërguar dëshmi për gjendjen shëndetësore të babait të presidentit por se nuk ishin marrë parasysh nga GJRS-ja. Si alternativë, GJRS-ja kishte propozuar që Hashim Thaçi ta “vizitojë” babanë përmes video lidhjes thuaja së 86-vjeçari na qenka ekspert për këso biseda ndonëse është në moshë të shtyrë dhe i sëmurë rëndë. Ngjashëm pati vepruar edhe me rastin e vdekjes së vëllait të Nasim Haradinajt kur nuk e lejuan të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Me këto veprime çnjerëzore, GJRS-ja po i shkelë brutalisht të drejtat e njeriut ndonëse botërisht deklaron se në të drejtat e personave të personave të privuar nga liria ka integruar standardet më të larta të Kombeve të Bashkuara të njohura si Rregullat e Nelson Mendelës. Gjykata Speciale deklarohet se është pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës ndonëse me asgjë nuk i përgjigjet këtyre institucioneve dhe nuk ka asnjë shenjë identifikuese të Republikës së Kosovës me të cilën nuk bashkëpunon për asgjë përveçse i arreston dhe dënon shtetasit e Kosovës ndërsa bashkëpunimin e ka kryesisht me Serbinë. Kjo gjykatë nuk monitorohet nga askush sikur që nga pushteti aktual i Kosovës i ka duart e lira të bëjë ç’të dojë me të privuarit nga liria, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës. KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon të bëhet një auditim i pavarur ndërkombëtar për punën e kësaj gjykate pasi për shkak të mungesës së monitorimit të pavarur dhe mungesës brutale të transparencës, kjo gjykatë po i shkelë të gjitha të drejtat e njeriut të personave të akuzuar dhe të dënuar, të gjithë shqiptarë dhe shtetas të Kosovës. Rastin e presidentit Hashim Thaçi duhet ta trajtojë me urgjencë Komiteti Ndërkombëtar për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Degradues i Kombeve të Bashkuara pasi hynë në juridiksionin e pranuar ndërkombëtar të këtij Komiteti.
KMDLNj e dënon ashpër dhunën psikologjike dhe brutalitetin refuzues të kësaj Gjykate për rastin e presidentit Thaçi. Gjykata Raciste Speciale përveçse është e shkëputur nga ndjenja humanitare, ashpërsisht dhunon edhe kontekstin tradicional të Kosovës e respektimit të familjes. Çdo institucion mbajtës në botë i kushton shumë rëndësi ruajtjes së shëndetit social të personave të privuar nga liria. GJRS-ja nuk i përmbahet kësaj norme ligjore dhe morale. Përkundrazi, e shpërfillë egërsisht.