Reagim i Telekomit të Kosovës: Dështim i përsëritur i sistemit gjyqësor që të ndalojë zhvatjen nga pronarët e Dardafon.net

12 gusht 2023 | 01:01

Telekomi i Kosovës sh.a. është duke u përballur me dështimin e përsëritur të sistemit gjyqësor që të adresojë në mënyrë të drejtë dhe ligjore kontestin e saj me Dardafon.net

Telekomi i Kosovës ka pranuar Aktvendimin KPPP nr. 365/23 nga Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë (Aktvendimi i Gjykatës Komerciale), me të cilin gjykatësi individual A.T. ka detyruar Telekomin e Kosovës që të paguajë edhe një shumë shtesë prej afërsisht 5.7 milionë euro për Dardafon.net.

Telekomi i Kosovës ndodhet në një situatë ku veçse ka paguar shumën prej më shumë se 40 milionë euro përkundër detyrimit të obliguar në vlerë prej 27.6 milionë sikurse ishte përcaktuar në Vendimin e Arbitrazhit (afërsisht 13 milionë mbipagesa që duhet të kthehen nga Dardafon). Kështu, në një proces gjyqësor në shkelje flagrante të parimeve themelore procedurale, të dokumentuar si të ndikuar nga Dardafon.net, Telekomi detyrohet të paguajë më shumë se dyfishin e detyrimit nga një gjykatë shtetërore.

Përderisa Telekomi i Kosovës, brenda afatit ligjor, ka ushtruar të drejtën e tij për ankesë dhe lënda është në vendosje pranë Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë, mënyra e trajtimit të kontestit të Telekomit të Kosovës me Dardafon është tejet shqetësuese, dhe është në shkelje të parimeve themelore të administrimit të drejtësisë. Ky reagim publik vjen për shkak të përsëritjes dhe dështimit të adresimit të këtyre shkeljeve brenda sistemit të drejtësisë dhe përsëritjes së shkeljeve të njëjta në dëm të Telekomit të Kosovës.

Është hera e tretë (3) që gjykata e shkallës së parë është duke vendosur të njëjtin rast, kjo pasi dy vendimet paraprake i janë anuluar për shkak të shkeljeve themelore të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të Telekomit të Kosovës për një proces të drejtë ligjor.

Pamundësia për të pasur një proces të drejtë ligjor ka ndikuar që Telekomi të mos ketë mundësi të rikuperojë më shumë se 13 milionë euro mbipagesa ndaj Dardafon.net. Këto mjete paraqesin detyrim ligjor të Dardafon.net që t’i kthehen prapa Telekomit të Kosovës dhe duhet konstatuar nga Gjykata.

Fillimisht, për rigjykimin e parë, është dashur ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të anulohen vendimet e tërë gjykatave të rregullta (duke përfshirë Gjykatën Themelore, të Apelit dhe Supreme) që kishin favorizuar Dardafon.net dhe kishin shkelur në mënyrë brutale të drejtat e Telekomit të Kosovës. Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Aktgjykimin KI84/21 (“Aktgjykimi Kushtetueses”), në procedurën e trajtimit të prapësimit të Telekomit të Kosovës dhe të trajtimit të kërkesës së Kreditorit, ka konstatuar se kemi të bëjmë me shkelje serioze dhe të rënda kushtetuese në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A, për të cilat arsye dhe ka anuluar të gjitha vendimet e gjykatave të instancave më të ulëta. Aktgjykimi Kushtetues ka vendosur TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje në dëm të Telekomit të Kosovës të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Edhe pas Gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, procesi u kthye edhe dy herë pranë gjykatës së shkallës së parë, ndërsa shkeljet vazhduan të njëjta. Kjo pasi Gjykatat e ulëta refuzuan të zbatojnë këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Tutje, në rigjykimin e dytë, ishte Gjykata e Apelit e cila prapë anuloi Aktvendimin e shkallës së parë, e cila prapë favorizoi Dardafon.net në shkelje të rënda ligjore.

Tashmë, edhe në procesin e rigjykimit të tretë, i njëjti Gjykatës (A.T.) dhe e njëjta Gjykatë vazhdojnë me shkelje të qëllimshme dhe brutale të parimeve themelore të një procesi ligjor. Mënyra dhe shkeljet që kanë lejuar të arrihet te ky rezultat i kundërligjshëm dhe absurd në formë të përmbledhur përfshijnë shkeljet si në vijim:

a. Telekomit të Kosovës i mohohet e drejta themelore procedurale në një ekspertizë të pavarur financiare për kalkulimin e pagesave në mes të palëve, bazuar në dokumentet që nuk kontestohet dhe detyrimin e Dardafon të kthejë prapa 13 milionë euro. Përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Apelit e kanë detyruar gjykatën e shkallës së parë të caktojë ekspertizë të pavarur, e njëjta vazhdon të refuzohet pa asnjë arsye nga Gjykata Komerciale. Qëllimi i vetëm i refuzimit të tillë është të favorizohet Dardafon.net të përmbarojë shuma sipas dëshirës së tij. Kështu i pamundësohet Telekomit të Kosovës të llogaritë pagesat të cilat bazohen në dokumente që nuk janë fare kontestuese.

b. Dardafon.net kontrollon ekspertizat e tij dhe Gjykata i pranon të njëjtat pa i dhënë asnjë mundësi kundërshtimi Telekomit të Kosovës: Gjykata (A.T.) bazon vendimin e saj nga eksperti i kontrolluar nga Dardafon.net (R.S.) dhe i caktuar nga përmbaruesi privat (I.M.), sipas kërkesës së Dardafon.net. Pra, bazohet në një dokument që nuk është autorizuar dhe lejuar fare nga Gjykata. Kështu, ky pseudo ekspert, i cili në dokumentin e paraqitur thekson qartë se ka përgatitur ekspertizë vetëm nga dokumentet e ofruara nga Dardafon, pranohet si dokument i besueshëm i detyrimeve të Telekomit.

c. Gjykatësi njeh vetëm pjesërisht dhe refuzon të njohë efektet e pagesave të bëra nga Telekomi i Kosovës në kuadër të “Marrëveshjes për ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Arbitrazhit 20990/MHM” të nënshkruar mes Kreditorit dhe Debitorit me datën 24.05.2017. Kjo Marrëveshje paraqet Akt Noterial (“Act en minute”) Nr. i LRP: 6316/2017 dhe Nr.i REF: 1202/2017 të përpiluar nga Noteri S. B. dhe në bazë të së njëjtës, Dardafon ka pranuar minuta/numra dhe shërbime tjera të cilat kanë vlerë financiare të matur dhe duhet thyer në kalkulimin e borxhit.

Përfundimisht, caktimi i masës së sigurimit (poashtu i refuzuar nga gjykatësi A.T.) është kërkuar dhe kërkohet për arsye se, ekziston rreziku se kreditori si biznes që është me përgjegjësi të kufizuar, nuk do të përgjigjej në kthim të mjeteve që nuk i takojnë, ashtu që kërkohet që mjetet e përmbaruara nga Urdhri Përmbarimor P.nr.491/19, të mbahen nga Debitori apo një palë e tretë (administrator i besuar) sipas vlerësimit të Gjykatës. Kjo ngase Debitori (Telekomi i Kosovës Sh.A) duhet të sigurohet nga Gjykata se vlerat materiale të cilat i janë marrë peng pa të drejtë dhe në mënyrë të jashtëligjshme duhet të sigurohen se do t’i kthehen nga një burim i sigurtë që do t’i administronte paratë deri në vendimin përfundimtar të të gjitha instancave gjyqësore. Ose Gjykata dhe gjykatësit e lëndës duhet të garantojnë personalisht se paratë e taksapaguesve do të kthehen në çdo mënyrë, në qoftë se biznesi i kreditorit që është me përgjegjësi të kufizuar nuk do të përgjigjej në kthim të mjeteve që nuk i takojnë.

Për të evituar një skenar të tillë, ftojmë të gjitha instancat vendimmarrëse të drejtësisë që kanë kompetencë të ndërhyjnë dhe të ndërprejnë këtë proces të jashtëligjshëm që po zhvillohet para syve tanë dhe me lejen e gjyqësorit. Nëse nuk ndërhyhet menjëherë dhe me vendosmëri, dëmi do të jetë i pariparueshëm dhe besimi në sistemin e drejtësisë dhe ligjin do të rrënohet dhe do të japë mesazhin e gabuar se te ne nuk ka kush ta mbrojë pronën publike, të drejtat dhe interesat e qytetarëve.

Telekomi i Kosovës Sh.A ka përdorë dhe do të përdorë edhe më tutje të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të kërkuar që të rikthehen të gjitha mjetet tashmë të përmbaruara pa bazë ligjore dhe me detyrim në xhirollogarinë e Telekomit të Kosovës.

Telekomi i Kosovës ka pritje që sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të ushtrojnë kompetencat e tyre dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm në vendosjen e drejtësisë dhe sqarimin e plotë të dëmeve dhe zhvatjeve të cilat i janë shkaktuar pasurisë publike të Telekomit në kuadër të rasteve që veçse janë iniciuar tek organet përkatëse.

Duhet mos harruar faktin se Telekomit të Kosovës i është bërë dëmtim serioz nga Përmbaruesi privat dhe nga vendimet e pabazuara dhe të kundërligjshme të gjyqtarit. Telekomit të Kosovës i është bërë dëm kolateral në grumbullim të kamatave dhe pamundësisë së pagesave të obligimeve të tjera operative. Telekomi i Kosovës ka pritje legjitime që këtë radhë sistemi gjyqësor i Kosovës do të ushtrojë rolin e tij kushtetues dhe ligjor në eliminimin e shkeljeve në dëm të Telekomit të Kosovës. Telekomi i Kosovës nuk do të ndalet kurrë deri në vendosjen e drejtësisë për pronën dhe paranë publike.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është…