REAGIM ME SHKAS

17 shtator 2024 | 11:20

Hasan Ukëhaxhaj

Pasi mora disa telefonata miqësh se në një nga ato TV- të e shumta të Kosovës, TV Dukagjini, në emisionin „Debat plus“ një nga UDB-shët që ka shërbyer me vetëdije për pushtetin represiv jugosllav, Mehmet Loci, paska tentuar që në përgjithësi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare me karakter anti jugosllav, ta denigrojë dhe në veçanti Komitetin e Deçanit me në krye Ismail Haradinajn, duke ngritur insinuata të ulta.
Dhe pse në moshë të thyer, ndjehem i obliguar të reagoj në mënyrë që populli shqiptar të kuptojë të vërtetën për sakrificën e madhe që është dashur të bëjë çdo i burgosur politik, që i ka hyrë rrugës për ta derguar në vend amanetin e rilindësëve tonë.
Ndonëse i kam thënë shumë gjëra në librin „Komiteti i Deçanit“ i botuar vitin e kaluar, më duhet me disa rreshta t’i përgjigjem atyre insinuatave të ngritura, në mënyrën më përfide.
Ashtu si çdo organizatë apo grup i fsheht me karakter nacionalçlirimtar dhe anti-jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore, janë bashkuar me qëllim për të kontribuar në rrugën për çlirimin e Kosovës, duke e ditur se rrezikojnë që të shkatërrojnë jetën e tyre dhe të familjes. Në këtë rrugëtim të trasuar ka ecur edhe “Komiteti i Deçanit”. Pra, „Komiteti i Deçanit“ është formuar drejtpërdrejt nga direktivat e atdhetarit Jusuf Gërvalla dhe është udhëhequr nga atdhetari, po ashtu, i pamposhtur Ismail Haradinaj.
Prandaj përpjekjet tona në drejtim të çlirimit të trojeve shqiptare të mbetura nën Jugosllavi, ishte qëllimi i parë dhe i fundit. UDB-ja në anën tjetër kishte armët e saja për t’i ndërprerë këto përpjekje në format më të ndryshme e më të dhunshme të mundshme, sa që dihet mirëfilli se atdhetarë të papërkulur lanë edhe jetën në ato “zyra“ të tipit të Aushvicit. Në këtë rast po mjaftohem të përmend atdhetarin Fazli Graiçevcin në Prishtinë, por edhe dy tjerë, Malë Morinën dhe Xhemajl Blakajn në Pejë.
Ata, pra të burgosurit politikë, e dinin që dhuna fizike dhe psiqike përbrenda kazamateve ishte vetëm njëra anë, më e tmerrshme ishte shantazhi, përndjekja, izolimi dhe linçimi i familjarëve tanë jashtë mureve të burgut.
Frikësimi i popullit për t’iu ndihmuar familjeve tona, dëmëthënë që ato të ndjeheshin të vetmuara; pengimi në shkollim i brezit të ri dhe pengimi në punësim dhe pothuaj në të gjitha poret e jetës ishte qëlimi i Serbisë që përmes mekanizmave shtetëror dhe shërbyesve të tyre të UDB-së të arrijë për t’i gjunjëzuar familjet tona dhe për të zhdukur idealin e lirisë.
Në njërën anë ata, zbuluan grupe e organizata, i burgosën veprimtarët, ushtruan dhunë ndaj tyre dhe familjeve të tyre, por s’arritën dot t’i ndalin në qëllimin që i kishin vënë vetes. Ndërkohë të burgosurit politikë, nuk u thyen kurrë, ashtu siç pretendon ndonjë UDB-ash, sepse shumë prej tyre edhe pas daljes nga burgu përsëri u arrestuan ngase nuk e ndërprenë veprimtarinë. Madje kishte dhe nga ata që u arrestuan, por kurrë nuk u kthyen në familje, siç është rasti i Ukshin Hotit. Të tjerët vazhduan veprimtarinë atdhetare në gjirin e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës – LPK-së – e ndokund tjetër në atdhe e jashtë tij, deri sa edhe si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia dhanë shkelmin e fundit pushtuesit serb. Këtë e dëshmon më së miri familja e Ismail Haradinajt.
Sa u përket akuzave në formë insinuatash se UDB-ja paska infiltruar njerëzit e saj nëpër grupe e organizata, kjo s’është as e çuditshme dhe as e panjohur për ne; të tilla shpifje janë normale. Por, këtu, gjithashtu ua kujtoj se edhe në organizata “ilegale” shumë herë më të sofistikuara e më të organizuara e më të vjetra se kjo e jona, siç ishin: IRA e Irlandës së Veriut dhe ETA e baskëve të Spanjës, u janë infiltruar njerëzit e sigurimit të brendshëm përkatës dhe janë dekonspiruar. Kjo është më së normale, veçse në dallim prej këtyre të dyjave Lëvizja jonë duke krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës arriti ta çlirojë vendin…
Edhe një gjë, historia i ka dy faqe. Faqen e saj të bardhë dhe atë të zezë. Gjithësecili, pa përjashtuar gjini as moshë që u bashkuan kundër Jugosllavisë Tito-Rankoviqiste me qëllim për të çliruar vendin, pavarësisht sa ka mundur të kontribuojë, edhe nëse ndokund nën presion e dhunë ka mundur të tregojë shenja dobësie, por s’është ndalur dhe ka vazhduar prap të ndihmojë në rrugën për çlirimin e Kosovës është faqebardhë me historinë.
Në faqen tjetër të historisë janë të gjithë ata që me vetëdije kanë punuar dhe janë munduar që këto përpjekje t’i ndërpresin, me presion dhe dhunë, nëpër qeli e jashtë tyre, shumë herë edhe fatale. Por, që për fatin e popullit tonë nuk arritën të dalin fitues, sepse fitoi mundi dhe gjaku i atyre që atdheun e kishin mbi gjithçka.
Ne e dinim qysh atëherë që edhe në institucionet tona kishte njerëz që kanë ëndërruar dhe janë munduar që Kosova t’i fitoj të drejtat që i takonin me rrugë institucionale. Por, koha i demantoi ato për të cilat, ne veç ishim të bindur se autonomia ishte fluskë sapuni; për 24 orë Serbia e revokoi autonominë e saj, bile në Kuvendin e Kosovës, për më tej dhe me votat e shqiptarëve lojal në raport me Jugosllavinë dhe më ndimën e UDB-së.
Sa e vështirë ka qenë kjo, dëshmojnë edhe ngjarjet që po na përcjellin edhe sot, një çerek shekulli pas lufte. Prandaj, përpjekjet e cilitdo që mendon për të denigruar organizatat a grupet atdhetare apo edhe udhëheqësit e tyre dihet mirëfilli që çojnë ujë në mullirin e luftës speciale të Serbisë. Përkundrazi, institucionet tona duhet të ndërhyjnë sa më shpejt në mënyrë që Serbisë t’i bëhet e pamundur që ta zhvilloj luftën e saj speciale për përçarje e për luftë vëllavrasëse.
Në fund, ky popull, ky shtet, duhet ta dijë që arritja e fitores shekullore e kulmuar me formimin e shtetit tonë u dedikohet ekskluzivisht përpjekjeve dhe sakrificave të mbarë popullit tonë, por në radhë të parë atyre që dergjën trupin nëpër tortura në kazamatet e Jugo-Serbisë, në tëra ato vite të gjata burgimi; sidomos atyre që lanë gjymtyrët e trupit dhe atë më të vlefshmen, jetën për liri. Pra, idealet e atyre që sakrifikuan e që ishin edhe idealet e popullit shqiptar, triumfuan mbi ato idale që mbronin jugosllavinë nga kulltuku e me paga të majme e me kërbaç në dorë…
Pra, po nënvizoj që ne të burgosurit politikë, gra e burra, të rinjë e të reja e të moshuar, ato që kanë ndodhur nëpër zyrat famkëqe të UDB-së dhe nëpër burgje, anë e kënd atij shteti gjenocidar, nuk i harrojmë as nuk i falim, sepse ishit ju kolaboracionistët që i keqpërdoret pozitat tuaja për hesap të Serbisë.
Megjithatë ne nuk do të merremi dhe as që kemi menduar deri tani që të merremi përsonalisht dhe të zhytim vetën tonë, sepse, juve as që iu kemi vërejtur në rrugën tonë të idealit. Mendoj që veprimet e dhunës janë kryer në mënyrë instituticionale e sistematike, andaj edhe instituticionet tona duhet të merren me atë kohë të dhimbjes krenare. Ato dhe vetëm ato mund të falin apo denojnë. Filozofia jonë ka qenë dhe është: Serbia është armiku i vetëm i cili ka bërë katër herë gjenocid mbi popullin shqiptar.
Përkundër moshës dhe shëndetit jo të mirë, duke respektuar thirrjen e disa miqëve dhe shokëve unë e bëra këtë reagim personal duke u ndjerë edhe i obliguar kundrejt shokëve tonë që nuk janë në jetë, në veçanti për atdhetarin dhe heroin Ismail Haradinajn.
Mendoj, duke nënvizuar edhe njëherë, reagimet e tilla nuk duhet të jenë personale por institucionale. Në radhë të parë do të duhej që Shoqata e të Burgosurve Politikë t’u japin përgjigjen e duhur këtyre insinuatave, por sidomos shteti ynë, meqë këta të burgosur kontribuan dhe sakrifikuan rininë e tyre dhe mirëqenien e familjeve të tyre për t’u bërë ky shtet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dënuar…