REAGIM NDAJ SHKRIMEVE TË PASAKTA DHE TENDECIOZE RRETH NËNSHKRIMIT TË KONTRATËS ME ARKITEKTIN E QYTETIT

14 maj 2024 | 16:54
Me datën 13 maj 2024 është publikuar një shkrim me titull “Tre muaj para se të regjistrohej në ARBK, kompania Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit nënshkroi kontratën me Komunën e Prishtinës” nga një prej portaleve lokale, dhe po të njëjtat informata të pasakta e tendencioze janë shpërnda nga eksponentë politik të caktuar.

Kryeqyteti informon qytetarët se ky artikull dhe shkrimet pasuese janë të pasakta dhe se:
• Konsorciumi i kompanive fituese kanë qenë të regjistruara pranë ARBK shumë kohë më parë
• Procesi i tenderimit të Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit është vlerësuar tri (3) herë nga OSHP, si proces i rregullt dhe në përputhje me ligjin.
• Procesi i tenderimit është zhvillu përmes sistemit elektronik “EPROKURIMI” dhe të gjitha të dhënat digjitale janë në dispozicion për të vërtetuar rregullsinë e procesit

Më poshtë është shpjeguar në hollësi procesi.

Aktiviteti i prokurimit me titull “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës” me nr. të prokurimit 616-22-7431-3-1-2, është publikuar me datën 21.07.2022. Pra aktiviteti ka filluar në korrik të vitit 2022 dhe ka përfunduar rreth 1 vit më pas apo më 27.06.2023 kur është nënshkruar kontrata, ndërsa kontrata e nënshkruar si e tillë përmes kësaj procedure aktualisht është në zbatim e sipër. Procedura si e tillë është zhvilluar në dy faza, ku kanë marrë pjesë gjithsej 6 tenderues (operatorë ekonomik ose grupe të operatorëve ekonomik). Gjatë aktivitetit të prokurimit janë shtjerrë të gjitha procedurat sipas mjeteve juridike në dispozicion. Mbi të gjitha kjo lëndë është trajtuar tri (3) herë nga OSHP dhe nënshkrimi i kontratës është manifestuar vetëm pas rikonfirmimit përmes vendimit të tretë të Panelit Shqyrtues në OSHP.

Sa i përket pretendimit se është nënshkruar kontratë me një operator ekonomik që nuk ka qenë i regjistruar në ARBK, duhet theksuar faktin që kontrata është nënshkruar me datë 27.06.2023 nga të dy palët kontraktuese dhe jo me datë 27.03.2023 sikurse është pretenduar. Kontrata është nënshkruar në tri kopje origjinale, por në njërën kopje të kontratës me rastin e nënshkrimit të kontratës, operatori ekonomik ka bërë gabim teknik ku në vend të numrit 6 ka shënuar numrin 3. Megjithatë ky gabim menjëherë është reviduar ndërsa data e nënshkrimit është evidentuar saktë (27.06.2023). Pra data e nënshkrimit të kontratës është 27.06.2023 dhe ky fakt është i pakontestueshëm për cilëndo palës me interes juridik. Data e nënshkrimit 27.06.2023 mund të konfirmohet edhe nga sistemi elektronik EPROKURIMI. Vlen të shtohet po ashtu se njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar me datë 27.06.2023 ndërsa njoftimi për nënshkrim të kontratës është publikuar me datë 29.06.2023. Pra thjesht ka qenë e pamundur që të nënshkruhet kontrata në muajin mars 2023 sikurse pretendohet. Me këtë rast duhet kuptuar faktin që procedura e prokurimit zhvillohet hap pas hapi në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Pra nuk mund të kalohet në hapin e radhës pa përmbushur me sukeses hapi paraprak. Gjithashtu, siç u tha më sipër, ky aktivitet është trajtuar tri (3) herë nga OSHP ku vendimi i parë nga OSHP është marrë me datë 02.02.2023, vendimi i dytë me datë 22.05.2023 ndërsa vendimi i tretë dhe i fundit me datë 26.06.2023 me ç’rast është mundësuar edhe nënshkrimi i kontratës me datë 27.06.2023.

Më tutje, grupi i operatorëve ekonomik të kontraktuar “Anarch Sh.P.K. & Ardi CC L.L.C.” kanë qenë të regjistruar kohë më parë. “Anarch” Sh.P.K. si anëtar i konsorciumit ekonomik është themeluar 17.10.2018 ndërsa anëtari tjetër i konsorciumit “Ardi CC” Sh.P.K. është themeluar me datë 29.04.2008. Pra, që të dy kompanitë kanë vite përvojë pune dhe nuk janë regjistruar tre muaj para nënshkrimit të kontratës siç pretendohet në shkrimet tendencioze. Pas shpalljes fitues në procesin e tenderimit, dy kompanitë kanë krijuar shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” për zbatim të kontratës dhe këtë e kanë regjistruar në ARBK me 27.06.2023, si një subjekt i përbashkët për qëllime të zbatimit të kësaj kontrate. Edhe nga të dhënat publike të ARBK mund të konfirmohet se shoqëria e konsorciumit “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” përbëhet nga dy operatorët ekonomik tenderues që janë “Anarch” Sh.P.K. dhe “Ardi CC” L.L.C.
Pra nuk qëndrojnë aspak pretendime sipas të cilave kinse është nënshkruar kontratë me një operator të paregjistruar në ARBK.
Bashkëngjitur do të gjeni disa kopje të dokumenteve që i faktojnë të dhënat e mësipërme, të cilat edhe janë në dispozicion publik në EPROKURIMI dhe në ARBK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Siguroni biletën tuaj për Doku.Tech Siguroni vendin tuaj për Doku.Tech…