Reagim: PLK-ja distancohet nga ish-kryetari i shkarkuar Skender Gashi
“Skender Gashi nuk përfaqëson Partinë Liberale të Kosovës dhe ai ishte shkarkuar njëzëri nga kryesia e PLK-së”, ky është reagimi i Rexhep Isufit, i cili thotë se është kryetar i PLK-së.
Reagimi i tij ka ardhur pas komunikatës së lëshuar nga LDK-ja se kanë arritur marrëveshje me PLK-në me kryetar Skender Gashin.
“PLK-ja mbetet bindshëm dhe e paluhatur në mbështetje të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit”, është thënë në reagimin e kryetarit të PLK-së Rexhep Isufi.
Reagim i PLK-së:
PLK distancohet nga ish-kryetari i shkarkuar dhe i dështuar Skender Gashi
Skender Gashi nuk përfaqëson Partinë Liberale të Kosovës dhe ai ishte shkarkuar njëzëri nga kryesia e PLK-së. Ai me gënjeshtrat dhe intrigat e tij, tashme të njohura, rrejshëm prezentohet si kryetar i PLK-së madje shkon aq larg sa edhe gjoja lidh koalicion me LDK-në pa pëlqimin e askujt, duke u thirrur në dy a tre emra të cilët kurrë nuk kanë qenë anëtarë të PLK-së.
Mbetemi të hutuar se si LDK-ja e cila trumbeton se nuk do të bashkëpunojë me njerëz të cilët kanë aktakuza dhe veprime korruptive, dhe e bënë një gjë të tillë me të ashtuquajturin kryetar Skender Gashi.
Për këtë PLK do të kërkojë shpjegime pranë KQZ-së dhe organeve gjegjëse të drejtësisë.
PLK mbetet bindshem dhe e paluhatur në mbështetje të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, si subjekt lider në Kosovë dhe bartëse kryesore e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës!
Kryesia e PLK-së!
Rexhep Isufi Kryetar.