![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/11/astrit-gashi.jpg)
Reagim publik: Logoja e 17-vjetorit të Pavarësisë përçon mesazh politik
Shkruan: Astrit Gashi
Pavarësia e Kosovës është një arritje kombëtare që i takon të gjithë qytetarëve, dhe çdo simbol që e përfaqëson atë duhet të jetë unik, i pastër nga ndikimet politike dhe përbashkues për të gjithë.
Prezantimi i logos zyrtare për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në pamje të parë, duket si një simbol modern dhe abstrakt që synon të përfaqësojë numrin 17. Megjithatë, një analizë më e thelluar tregon se forma e saj mund të interpretohet në disa mënyra të tjera, të cilat ngrenë dyshime mbi neutralitetin e saj.
Dy trekëndëshat në logo – Përveç që formojnë numrin 17, ato mund të lexohen edhe si kombinime të numrave 11, 77, 1717, 1177, duke e bërë dizajnin të hapur për interpretime të ndryshme.
Leximi i mundshëm i shkronjave LV dhe VV – Për shumë qytetarë, këto forma lidhen me inicialet e Lëvizjes Vetëvendosje (LV ose VV), subjektit politik që aktualisht është në pushtet. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse logoja është dizajnuar me qëllim për të krijuar një lidhje të nënkuptuar me partinë qeverisëse të Albin Kurtit.
Çdo simbol që mund të sugjerojë favorizim politik dëmton neutralitetin dhe përbashkueshmërinë që duhet të ketë një festë shtetërore e cila dikur ka kundeshtuar edhe pavarsinë dhe flamurin.
Në këtë logo lexohet qartë se dizajni përmban mesazhe të fshehura politike. Prandaj, do të ishte e udhës që të rishikohej dhe të zëvendësohej me një version më neutral, që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime politike.
Por lind pytja pse Albin Kurti po provokon në këtë menyre!?
Sepse kryeministri Albin Kurti ka deklaruar disa herë se shoqëria civile dhe opozita “kanë vdekur” në Kosovë, duke nënkuptuar mungesën e një kundërshtimi të fortë ndaj politikave të qeverisë. Kjo logo mund të duket si një çështje e vogël në krahasim me zhvillimet aktuale në vend, por është një simptomë e një problemi më të madh të kapjes së institucioneve shtetërore dhe tendencës për të kontrolluar çdo aspekt të jetës publike, përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili po funksionon në rrethana që ngjajnë më shumë me një regjim sesa me një demokraci funksionale.
Nëse edhe simbolet e Pavarësisë përdoren për të përçuar mesazhe politike, atëherë kjo tregon qartë se shteti po shkon drejt një rruge ku kapja e institucioneve po bëhet normë dhe jo përjashtim. Kjo është arsyeja pse reagimi qytetar është i domosdoshëm pasi që opozita është futur ne një rrugë pa krye e cila nuk ka lider të besushem në popull. Por secili nga ne e kupton se pavarësia nuk i takon një partie, por gjithë popullit të Kosovës.