Reagime letrare për ngjarje joletrare
Shkrimtari Arif Molliqi, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, krijimtarisë së vet letrare sivjet i ka shtuar edhe një libër tjetër me poezi, të cilin e ka botuar Shtëpia Botuese “Armagedoni”, e cila, në një shënim të shkurtër për librin e Molliqit me titull “Si kripën të kam dashtë”, ka shkruar: “Arif Molliqit dy vjet më parë i kam botuar një monografi dhe një roman.
Në vitin e tretë të bashkëpunimit me të, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, në moshën e tij të pensionimit, po i botoj këtë libër me poezi, në të cilin ka dashuri, ka simpati, ka përkushtim, ka reagime ndaj politikës vendore dhe botërore, për ngjarje të mëdha dhe të vogla, për luftëra, deri edhe për vrasjet e fundit në Aleppo, edhe për të parafundit në Kosovë, si për: tërheqjen e litarit për prerjen e kufirit, për prishjen e shtratit të Lumëbardhit, për vendlindjen e vet – Llukën e Epërme etj.
Poezitë e këtij libri janë protesta individuale nga goja, mendja dhe duart e autorit shkruar në dhjetëvjetëshin e fundit. Ai është vrojtues epik, po larjehesapësh lirik qoftë kur gjendet në Gjermani, qoftë kur vjen për pushim verore në Kosovës”.
Më poshtë keni pesë poezi nga libri i sapobotuar i Molliqit, “Si kripën të kam dashtë”.
ARIF MOLLIQI
LOJA ME LITAR
pashë dhe dëgjova sot në televizion
komisionin kadastral që kuiste një hartë
për tokën tonë atje lart
gjeodezistët bënin ndarje në hartën e dhimbjes
në tokën tonë të moçme vizatonin
siç vizatojnë nxënësit në blloqet e shkollës fillore
sipas pëlqimeve dhe udhëzimeve
të mësuesve
aty bashkë tërhoqën litarin ata
aty bashkë prenë tokën tonë të tjerët
bënë dhe një vrimë të madhe mes atdheut
grushte i ranë
e mbytën të gjithë
e lanë mënjanë
tash po na thonë
për hatër të lëvizjes së lirë
e hëngrëm bjeshkën tonë
ATY KU ZURA PRITË
nuk e di ku ikën vitet e mia
a në tokë a në qiell
në hapësirën bosh midis një vjeshte
a një dimri
unë e di se grindem
bëj luftë me armikun që s’e njoh
kur të tjerët bëjnë paqe
me rëndësi të marr pjesë
asnjëherë mos të dorëzohem
heshtat, shpatat, armët i mbaj për dekorim
mbase nuk arrita në majë të majave
as në luginë kurrë s’kam rënë
(veç kur u zura pritë dhelprës e arushës
po nuk më lanë t’i vras)
DHIMBJE NDRYSHE
isha në Kosovë
dhe pashë
atë që s’e keni parë
e pashë veten time në dy pjesë
i huaj më thanë… aty
unë i treturi regjistruar… këtu
fëmijërinë nuk e gjeta askund
një pjesë kishte vdekur
tjetra ishte tretur
nëpër lokalet e mbushur plot
me tregime për “makiato”
për “expresso” të gjata
dëgjova
liderët partiakë t’i nxjerrin sytë
po sa pare bën
kur pa sy
oh pa sy
do ta pres pleqërinë
MOTËRMADHES
(motrës, N. M.- Gj)
o me ç’trishtim
për ty sot më erdhi malli
m’i lë dhimbjet amanet dhe ike
dhimbjet tua
bashkë me kujtimet e pasosura
do t’i bart gjatë
(në këtë kohë kur largësia na grimcoi)
madje edhe kur çelin qershitë
edhe atëherë
do të jemi bashkë nën hijen e tyre
mbrëmja e heshtur po vjen ngadalë
e ftohtë dhe e gjatë është kjo natë
lulet tua rrinë në oborr
pa ty motërmadhe
jashtë bie shi
bie dhe borë
janar është
në dhomën time hyn dhe del pikëllimi
edhe era nga Gjaravica vjen e shkon e shkon e vjen
ikën me gjëmim të rëndë
sa herë që s’të sheh
(Hamburg, 14. 1. 2015)
MË NGJAN SE ATA UDHËTOJNË PA E DITUR FUNDIN
hip çdo mëngjes në autobus
aty njerëzit lëkunden e lëkunden
më ngjan se udhëtojnë krejt bashkë
pa e ditur fundin
në fytyrat e tyre s’shoh lumturi
më duket se vjedhur dikush ua ka
edhe dëshirën për të jetuar më
çdo mëngjes
ç’është e vërteta
i trembur vrapoj drejt autobusit
vrapoj si një brejtës i keq
gërryej me këmbë e duar
kohën që më ka mbetur