
Reagime ndaj emërimit të mandatarit të ri të Qeverisë së Serbisë: Nxitës i dialogut apo zbatues i vullnetit të Vuçiqit?
Nga lëvdatat se si një figurë jopartiake do të nxisë dialogun në shoqëri, e deri te vlerësimet se do të udhëheqë një qeveri të njëjtë dhe do të zbatojë urdhrat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq- janë reagimet ndaj emërimit të mjekut Gjuro Macut si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.
Kryeministri në mandat teknik, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar më 7 prill se Gjuro Macut dhe qeveria e re duhet të sjellin energji të re.
Në një intervistë për “Radiotelevizionin e Serbisë (RTS)”, ai ka thënë se Macut është një person “që mund të hapë dialogun shoqëror”, sepse nuk është i ngarkuar me “disa gjëra nga periudha e kaluar”.
“Nuk e di nëse është e mundur të arrihet konsensus, por besoj se është e mundur të zhvillohet bisedë dhe dialog. Zgjidhja nuk qëndron te bllokadat dhe hedhja e vezëve”, ka thënë Vuçeviq.
I pyetur nëse ka sinjale se një dialog i tillë mund të ndodhë, ai ka thënë se kjo do të shihet në periudhën e ardhshme.
“Besoj se dialogu është i mundur dhe jam i sigurt që është i domosdoshëm, por Serbia nuk ka shumë kohë për të pritur, duhet të ecë përpara”, ka thënë Vuçeviq.
Presidenti Vuçiq ka njoftuar të dielën se doktori i endokrinologjisë, Gjuro Macut, është mandatar për përbërjen e re të Qeverisë së Serbisë. Macut është anëtar i këshillit nismëtar për formimin e “Lëvizjes për popullin dhe shtetin” të Vuçiqit.
Vuçiq, në adresimin e tij para publikut, ka thënë se qeveria e re do të zgjidhet deri më 18 prill dhe se Gjuro Macut “do të ndihmojë shumë në qetësimin e tensioneve”.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar më 7 prill se Macut tregoi guxim të madh që pranoi të udhëheqë qeverinë “në një moment kaq sfidues”.
Ajo ka theksuar se kandidati për kryeministër “e ka dëshmuar me jetën e tij” se është dikush që mëson shpejt dhe është i gatshëm të punojë me përkushtim.
“Ajo që na nevojitet më shumë është të kemi një person të qetë, të matur, dikë që është njeri i dialogut”, ka thënë Bërnabiq, duke theksuar se beson që ai do të jetë kryeministër i shkëlqyer.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), Dragan Gjillas, ka vlerësuar se emërimi i një mjeku pa përvojë politike si mandatar “përfaqëson përpjekjen e Aleksandër Vuçiqit për të fituar kohë për të qëndruar në pushtet”.
Në një deklaratë me shkrim, ai ka thënë se Gjuro Macut “ka nënshkruar më herët mbështetje për listën e Partisë Progresive Serbe dhe ka folur në mitingje partiake”, dhe se ai është “edhe një tjetër zbatues i bindur i vullnetit” të Vuçiqit.
“Një qeveri e tillë e Serbisë do të jetë edhe një formë tjetër e pushtetit absolut të Vuçiqit, e privuar nga legjitimiteti, kontrolli dhe përgjegjësia”, ka vlerësuar lideri i SSP-së.
Kryetari i Partisë së re Demokratike të Serbisë (NDSS), Millosh Jovanoviq, ka thënë se emërimi i Gjuro Macut është “ndërrim i ekuipazhit në Titanikun” që drejtohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Është e qartë se një qeveri e tillë nuk do të mund të shmangë përmbytjen, e aq më pak të zgjidhë krizën e thellë politike dhe shoqërore në të cilën ndodhet Serbia”, ka thënë Jovanoviq.
Partia opozitare Serbia Qendrore ka vlerësuar më 6 prill se për qytetarët e Serbisë është plotësisht e parëndësishme nëse në krye të qeverisë është mandatar Gjuro Macut, kryeministri aktual Millosh Vuçeviq apo ish-kryeministrja Ana Bërnabiq.
Në deklaratën e saj, kjo parti ka theksuar se “për të gjithë është e qartë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është drejtuesi i vërtetë”.
Grupi joformal i intelektualëve “ProGlas, ka vlerësuar se emërimi i mandatari dëshmon se presidenti i Serbisë ka marrë vendim “për një qeveri të vazhdimësisë”.
Akademiku i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), Vlladimir Kostiq, ka thënë më 7 prill në tryezën e rrumbullakët të “ProGlas” se muajt e fundit “të gjitha grupet shoqërore janë mbledhur për të shprehur mospajtimin me gjendjen në Serbi”.
“Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare CRTA, vetëm javën e kaluar janë mbajtur 452 protesta dhe 128 tubime. Përkundër gjithë kësaj, presidenti ka vendosur të mos dëgjojë dhe të mos flasë për kërkesat e shumicës shoqërore, por ka marrë vendim për një qeveri të vazhdimësisë. Ne nuk e pranojmë këtë politikë të vazhdimësisë”, ka thënë Kostiq, njëri nga iniciatorët e “ProGlas”.
Presidenti i Serbisë më herët ka mbajtur konsultime me partitë parlamentare për mandatarin e Qeverisë së re, të cilat kanë filluar më 2 prill.
Opozita parlamentare kishte paralajmëruar më parë se nuk do të marrë pjesë në ato konsultime. Ata kishin propozuar formimin e një qeverie kalimtare, gjë që është refuzuar nga përfaqësuesit e pushtetit.
Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend kanë verifikuar dorëheqjen e Vuçeviq nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit prej 30 ditësh për formimin e qeverisë së re.
Vuçeviq kishte dhënë dorëheqje një muaj e gjysmë më herët, pas sulmit të aktivistëve të Partisë Progresive Serbe ndaj një grupi studentësh që kishin bllokuar punën e fakultetit në Novi Sad.
Rënia e Qeverisë së Serbisë që udhëhiqej nga Millosh Vuçeviq ka ndodhur në kulmin e protestave kundër regjimit, të cilat po i udhëheqin studentët që nga fundi i nëntorit 2024 kanë bllokuar dhjetëra fakultete në të gjithë Serbinë.
Në qendër të kërkesave të tyre, të paraqitura ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar. /REL