Reagimi i fortë për emigrantët në Shqipëri, Elon Musk trazon politikën italiane
Elon Musk ka bërë një deklaratë të fortë kundër gjyqtarëve të Gjykatës së Romës, të cilët pezulluan vendimin për dërgimin e emigrantëve të paligjshëm në kampet e Shëngjinit dhe Gjadrit në Shqipëri.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA i referohet komentit që Musk ka bërë në një postim të një përdoruesi që raportonte lajmin me mbishkrimin: “Këta gjyqtarë duhet të largohen.”
Kjo deklaratë ka ngjallur debate të ashpra në Itali, duke përfshirë dhe reagimin e Matteo Salvinit, sekretarit të Partisë Lega, i cili e mbështeti qëndrimin e Musk.
“Musk ka të drejtë, unë kam ndaluar zbarkimet dhe tani rrezikoj gjashtë vite burg. E parë nga jashtë, e gjitha kjo duket edhe më e pabesueshme”, tha Salvini, duke iu referuar përpjekjeve të tij për të ndaluar zbarkimet e migrantëve.
Nga ana tjetër, opozita italiane ka kërkuar nga kryeministrja Giorgia Meloni që të dënojë deklaratat e Musk dhe të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit dhe Kushtetutën italiane.
Kryetari i Senatit, Ignazio La Russa, u shpreh mbi temën e kthimit të migrantëve nga Shqipëria në Itali, duke e cilësuar si “një çështje shumë të ndërlikuar” që kërkon zgjidhje nga Gjykata Evropiane.
Një gjykatë në Romë u kërkoi të hënën gjykatësve të BE-se që të shqyrtojnë mbajtjen në Shqipëri të emigrantëve që kapen në det ndërsa rasti u referua te Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian.
Ky hap pengon zbatimin e vendimit të qeverisë italiane për menaxhimin e emigracionit të paligjshëm përmes trajtimit në kampet e ngritura në Shqipëri.