Reagimi i Haradinajt pas ngjarjeve në veri
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i tronditur nga vrasja e një polici në veri dhe plagosja e një tjetri.
Ai ka thënë se ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Haradinaj ka shkruar se Beografi duhet të “heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë”.
“Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka ftuar organet e rendit, KFOR-in dhe aleatët e sigurisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur këtë situatë dhe për të sjellë autorët para drejtësisë.
“Ftoj organet tona të rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët tanë të sigurisë të prirë nga Amerika, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti. Rendi dhe ligji s’ka alternativë! Ngushëllime për familjen e policit që humbi jetën dhe shërim të shpejtë për policin e plagosur!”