Reagimi i opozitës, refren i bajatshëm

10 korrik 2019 | 17:56

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, u është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për korrupsion.

Ai ka thënë se akuzat e opozitës ndaj tij janë shpifje dhe nuk duhen marrë seriozisht.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lekaj ka deklaruar se akuzat e subjekteve opozitare janë si pasojë e frikës që e ka kapluar nga puna e madhe e qeverisë Haradinaj.

“Unë shpesh e kam potencuar se këto sulme të njëpasnjëshme janë vetëm shpifje, asgjë tjetër. Janë pasojë e frikës që e ka kapluar nga puna e madhe që po bëhet në qeverinë Haradinaj. Prandaj, si të tilla, nuk duhet as të trajtohen seriozisht”, ka thënë Lekaj.

Ai ka bërë me dije se tani në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit i është hapur dera drejtësisë që të veprojë lirshëm. Sipas tij, LDK-ja është në panik nga frika se tani drejtësia do t’ia nxjerrë në shesh të palarat që i ka lënë në këtë ministri.

“Mbase mund të kenë frikë se u dalin të palarat që i kanë lënë jo vetëm në Departamentin e Patentshoferëve, por në mbarë ministrinë, tash kur më në fund i janë hapur dyert drejtësisë të veprojë lirshëm, pa presion, në këtë institucion. Unë për dy vjet sa jam ministër kam punuar fuqishëm drejt reformimit të pajisjes me patentshoferë. Vetëm pak ditë më parë lansuam edhe ‘e-testimin’ që askush nuk pati guxim ta bëjë më parë. Unë e ripërsëris qëndrimin tim se drejtësia i ka dyert e hapura dhe duhet ta çojnë procesin deri në fund”, ka thënë ai.

Ministri Lekaj ka folur edhe për mocionin e opozitës ndaj qeverisë Haradinaj. Ai ka thënë se pretendimet e opozitës për këtë mocion tashmë janë bërë refrene të bajatshme për qytetarët.

“Nuk kemi pse të frikësohemi prej çfarëdo skenari që mund të mendojë opozita. Reagimet e tyre janë refren i bajatshëm për qytetarët si reaksion i mungesës së alternativës. Puna jonë ka folur tashmë prandaj, pa pasur nevojë të bëhen qesharakë, le të organizojnë mocionin, ndërsa ne jemi të gatshëm për zgjedhje, edhe sikur ato të ndodhin nesër. Megjithatë, mandatin do ta përmbyllim siç parashihet në Kushtetutë”, është shprehur Lekaj.

“Epoka e re”: Z. Lekaj, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje së fundi kanë drejtuar shumë akuza në drejtim tuajin. Pse?
Lekaj: Unë shpesh e kam potencuar se këto sulme të njëpasnjëshme janë vetëm shpifje, asgjë tjetër. Janë pasojë e frikës që i ka kapluar nga puna e madhe që po bëhet në qeverinë Haradinaj. Prandaj, duke qenë të tilla, nuk duhet të trajtohen seriozisht.

“Epoka e re”: Akuzat e tyre kanë të bëjnë edhe për rastin e fundit, ku janë arrestuar disa zyrtarë të ministrisë suaj, të cilët dyshohen për korrupsion në lidhje me lëshimin e patentshoferëve. Cila është përgjegjësia juaj në këtë rast?
Lekaj: Mbase mund të kenë frikë se u dalin të palarat që i kanë lënë jo vetëm në Departamentin e Patentshoferëve, por në mbarë ministrinë, tash kur, më në fund, i janë hapur dyert drejtësisë të veprojë lirshëm, pa presion, në këtë institucion. Unë, për tashmë dy vjet sa jam ministër, kam punuar fuqishëm për reformimin e pajisjes me patentë shoferë. Vetëm pak ditë më parë lansuam edhe “e-testimin”, që askush nuk pati guxim ta bëjë më parë. Unë e ripërsëris qëndrimin tim se drejtësia i ka dyert e hapura dhe duhet ta çojë procesin deri në fund.

“Epoka e re”: Përveç liderit të LDK-së, edhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie i kanë shtuar kritikuat ndaj jush dhe qeverisë Haradinaj. Këto akuza po e dëmtojnë mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen në mes të këtyre dy subjekteve politike?
Lekaj: Asnjëherë nuk është vonë për ta kuptuar se je gabim, edhe partitë opozitare mund të pendohen dhe të kërkojnë bashkëpunim.

“Epoka e re”: Zyrtarët opozitarë çdo ditë e më tepër po shprehin optimizëm se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë do të ketë sukses. Sa besoni se ky synim i opozitës do të arrihet dhe këtë vit të kemi zgjedhje?
Lekaj: Kjo është një shaka e vazhdueshme prej së cilës opozita në vazhdimësi nuk po e kursen popullin. Sikur të ishin aq seriozë, për aq herë sa e kanë përmendur mocionin, tashmë do të ishin mbajtur edhe zgjedhjet.

“Epoka e re”: Së fundi po diskutohet ideja e zgjerimit të bashkëpunimit të subjekteve opozitare, në mënyrë që në mandatin e ardhshëm të kemi një qeveri të përbërë vetëm nga subjektet politike që tani janë në opozitë. A i frikësoheni këtij skenari?
Lekaj: Nuk kemi pse të frikësohemi prej çfarëdo skenari që mund të mendojë opozita. Reagimet e tyre janë refrene të bajatshme për qytetarët si reaksion i mungesës së alternativës. Puna jonë ka folur tashmë prandaj, pa pasur nevojë të bëhen qesharakë, le të organizojnë mocionin, ndërsa ne jemi të gatshëm për zgjedhje, edhe sikur ato të ndodhin nesër. Megjithatë, mandatin do ta përmbyllim siç parashihet në Kushtetutë.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Legjenda e tenisit botëror, Boris Becker është shumë keq në…