Reagimin e mbrëmshëm shpresoj se LDK-ja do ta vërejë
Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon edhe një herë tjetër ka shkruar dhe folur për situatën politike në Kosovë. Edhe këtë herë ajo është shprehur kundër mocionit të LDK-së për rrëzimin e qeverisë.
Von Cramon, që është edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, kësaj radhe ka komentuar protestën e mbrëmshme të qytetarëve kundër zhvillimeve politike, protestë kjo që është mbajtur nëpër ballkone dhe dritare të banesave e të shtëpive.
Ani pse protesta nuk iu dedikua ndonjë partie specifikisht, Viola von Cramon shpreson që kjo t’i ketë rënë në vesh LDK-së. “Shumë mirë. Njerëzit në formë krijuese dhe të civilizuar kanë alarmuar për atë që unë e quajta grusht-shtet në Kosovë, me shpresë që LDK do ta vërejë”, ka thënë ajo me anë të një postimi në “Twitter”.