Reagojnë liderët për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla
Përfaqësuesit e partive politike kanë reaguar në lidhje me sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, e ka cilësuar si akt qyqar sulmin ndaj gazetarit Syla.
“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, pavarësisht a pajtohemi gjithmonë me mendimin e tij apo jo, është një akt qyqar dhe që njollosë vetë themelet e shtetit tonë. Në Kosovë, fatkeqësisht, kohëve të fundit edhe nga parti të ndryshme politike është kultivuar një diskurs që nxitë dhunën në shoqërinë tonë. Kjo mendësi duhet të ndalet tani, menjëherë, dhe të gjithë së bashku duhet ta mbrojmë me forcën e fjalës dhe të ligjit lirinë për t’u shprehur”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dënuar sulmin e sotëm ndaj gazetarit Valon Syla dhe njëkohësisht ka ftuar organet kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme në lidhje me rastin.
Ai ka thënë se sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shqetësuese, dhe të pa tolerueshme. Kjo sipas tij, nuk mund cilësohet ndryshe përpos si kërcënim dhe sulm ndaj fjalës së lirë dhe profesionit të gazetarisë.
Po ashtu, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj Sylës, duke thënë se çdo sulm ndaj gazetarisë është sulm ndaj fjalës së lirë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon ashpër sulmin ndaj gazetarit Valon Syla. Çdo sulm ndaj gazetarisë është sulm ndaj fjalës së lirë. Liria e fjalës është universale, andaj askush dhe në asnjë formë, nuk ka të drejtë cenimin e saj”, është thënë në reagimin e AAK-së.
Ndaj sulmit të gazetarit Syla ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku, duke thënë se një veprim i tillë është i patolerueshëm.
“Turp. Me Valonin mundesh me u pajtuar, ose jo. Por me e sulmuar për mendimin e tij është e papranueshme”, shkruan ajo në llogarinë e vet në “Facebook”.