Reagojnë nga kabineti i Osmanit pasi PSD-ja e ‘shpalli’ Presidencën si nëndegë të LV-së
Shefi i kabinetit të Vjosa Osmanit, Faton Peci, ka reaguar pasi Partia Socialdemokrate (PSD) me anë të një aksioni e ka “shpallur” Presidencën e Kosovës si nëndegë të Vetëvendosjes.
“Një subjekt që nuk e ka kapë as pragun e pragut merr përsipër detyrë të zorshme në përpjekje për të aktruar opozitën”, është thënë në reagimin e Pecit.
Reagimi i plotë i Pecit:
Reagimi i PSD-së ndaj presidentes Osmani ngjallë neveri. Një subjekt që nuk e ka kapë as pragun e pragut merr përsipër detyrë të zorshme në përpjekje për të aktruar opozitën.
Përpara se të bëni veprime, verifikoni faktet. Presidentja nuk përdorë fare veturë të Presidencës.
Rrjedhimisht, ky mllef i juaji ka të bëjë më shumë me defaktorizimin tuaj si një subjekt, të cilit i ka mbet veç akronimi dhe nuk ka guxim as të marrin pjesë në zgjedhje.
Sigurisht, shpifja e juaj është nxitur edhe nga sondazhet e fundit, me të cilat Vetëvendosje dhe Lista Vjosa, me një listë të përbashkët do ta marrin shumicën në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Prandaj, të dëshpëruar socialdemokratë (PSD), ndërkaq karvani i fitores ecën, ju mund ta vazhdoni aktivitetin tuaj dhe të vendosni bilboarde gjithandej, sepse është e vetmja mundësi e juaja që të dilni në publik!