Reagon AKK-ja: Ministria i ndërhyri komunës së Prishtinës në kompetenca për ‘Sunny Hillin’
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është ankuar të mërkurën se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) është duke ndërhyrë në kompetencat e komunave.
Bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të pronës për “Sunny Hill”, ku sipas AKK-së, kjo ministri i ka kërkuar në mënyrë arbitrare Komunës së Prishtinës për dhënien e afatit të pronës.
“Afati i dhënies në shfrytëzim i pronës së paluajtshme të komunës vendoset nga Komuna, e jo nga niveli qendror, ku komunat kanë të drejtë ta japin pronën e vet komunale në shfrytëzim nga 1-15 vite, më shumë se 15 vite, pra deri në 99 vite dhe se komunat mund të japin në shfrytëzim pronën e paluajtshme për me pak se një (1) vit”.
“Kurse në shkresën e MAPL-së, e nënshkruar nga ministri z. Elbert Krasniqi, drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama kërkohet në mënyrë arbitrare që komuna ta adresojë kërkesën për ndryshimin e afatit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për festivalin ‘Sunny Hill’”, ka njoftuar AKK-ja.
Po ashtu, AKK-ja ka theksuar ndër të tjerash në atë shkresë është thënë që: “Ju si kryetar do ta adresoni kërkesën për ndryshim të afatit të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale, ku vendimi përsëri duhet t‘i nënshtrohet aprovimit në Kuvendin e kryeqytetit, me procedurat të përshpejtuara përmes mbledhjes së jashtëzakonshme e pastaj, sipas legjislacionit në fuqi MAPL-ja bën vlerësimin e ligjshmërisë”.
Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërhyrja e ministrisë në komuna e pengon zhvillimin lokal.
“Me këtë shihet dhe vërtetohet qartë ndërhyrja e MAPL-së në kompetencë të komunës e që këto ndërhyrje janë pengesë serioze në mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal por edhe pengesë në zhvillimin e demokracisë lokale në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar AKK-ja.