Reagon ambasadori gjerman për linçimin e policëve të rinj nga komunitetet: Absolutisht shqetësuese
Pas Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, edhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale.
Duke shpërndarë postimin e shefit të EULEX-it, Rohde tha se është “plotësisht dakord” me ato që Barbano i ka theksuar.
“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese”, shkroi Rohde në Twitter, duke shtuar se “duhet të ndalet menjëherë”.
Policët e rinj, pohon ambasadori, “nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”.
Ndryshe, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka shprehur shqetësimin lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale.
Të hënën e kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë, përfshirë 45 nga komuniteti serb, pas konkursit të shpallur nga Policia e Kosovës në fillim të këtij muaji, megjithatë shefi i EULEX-it e ka cilësuar si të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi ndaj tyre.
“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, ka shkruar ai në llogarinë e tij.