Reagon ARKEP-i pas shkëputjes së kontratës së Telekomit me “Z-Mobile”

31 korrik 2019 | 15:43

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka reaguar në lidhje me procesin e shkëputjes së kontratës ndërmjet operatorit Telekomi i Kosovës dhe operatorit Dardafon.net “Z-Mobile”.

Përmes një komunikate për media, ARKEP-i ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet operatorëve të rrjetit dhe operatorëve virtual aktualisht në Kosovë janë të lejuara me marrëveshje komerciale.

“Në njoftimin e vet, Telekomi i Kosovës është zotuar se në pajtim me kushtet kontraktuale komerciale do të aplikojë një periudhë transitore në funksion të mbrojtjes së të konsumatorëve për mosndërprerje të shërbimit. ARKEP-i është duke analizuar situatën e krijuar dhe në pajtueshmëri me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi do të ndërmarrë veprime rregullative nëse një gjë e tillë është e nevojshme në ditët në vijim, pas sqarimeve të pranuara nga palët në proces”, është thënë në komunikatën e ARKEP-it.

Po ashtu, ARKEP-i ka vlerësuar se në bazë të ligjit për komunikimet elektronike, ky institucion në punën dhe në marrjen e vendimeve të veta është i pavarur nga çdo palë tjetër. “Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e duhur ligjor me qëllim që mbrojtjes së të drejtave të përdoruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Kosovës”, është thënë në këtë komunikatë.

Një ditë më parë Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka theksuar se sa më parë të ndërmerren veprimet që 300 000 numrat në përdorim të “Z-Mobile”-s t’i kalojnë Vala-s ashtu edhe siç i takojnë.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka bërë me dije se konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e “Z-Mobile” se për ta nuk do të paraqitet asnjë problem.

“Të gjithë konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e Dardafon (Z-Mobile) të mos bien në panik, sepse në bashkëpunim në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) jemi duke punuar ngushtë që ta zbatojmë edhe fazën e tranzicionit që do të zgjasë nga 30 deri 120 ditë”, ka thënë Istrefi.

/Epoka e Re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria iraniane ka miratuar një plan për të larguar katër…