Reagon avokati i Elezajt, thotë se gjykata e dënoi pa asnjë provë
Pas dënimit me 4 mijë euro të kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për ndikim në punësim të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, ka reaguar avokati i tij.
Kujtim Kërveshi ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” në lidhje me këtë rast, duke thënë se as tash, sikur më parë, aktgjykimi nuk mbështetet në asnjë provë.
“As ky aktgjykim i këtij trupi gjykues nuk mbështet në asnjë provë, siç nuk është mbështetur as herën e parë kur Elezaj është shpallur fajtor dhe edhe ky aktgjykim është në kundërshtim të plotë tani edhe me sugjerimet e Gjykatës së Apelit, e cila ka prishur aktgjykimin paraprak të këtij trupi gjykues dhe ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë se çfarë provash dhe dëshmish duhet të sigurohen”, ka shkruar Kërveshi.
Trupi gjykues në rigjykim i ka dëgjuar dy dëshmitarët sipas sugjerimit të Gjykatës së Apelit dhe dëshmitë e të dy dëshmitarëve kanë qenë shfajësuese për Elezajn, sipas avokatit Kërveshi.
“Si mbrojtës nuk mund ta pranoj standardin e vendosje së këtij trupi gjykues. Për ne as një dënim, as ky me gjobë nuk është i pranueshëm, sepse Elezaj nuk ka kryer veprën penale me të cilën është shpallur fajtor dhe se jemi të bindur se Gjykata e Apelit do t’i japë epilog meritor kësaj sage të re të drejtësisë”, ka shkruar Kërveshi.
Elezaj kishte marrë vendim prej fajtori edhe në dhjetor të 2020-ës, por ankesa nga Apeli e kishte kthyer në rigjykim, duke i lejuar që rasti të mbetet i papërfunduar dhe ai të garonte në zgjedhje.