Reagon djali heroit Abdullah Tahiri: Burgun e Dubravës e bombardoi aviacioni i Serbisë e jo ai i NATO-s!

19 maj 2024 | 21:00

Në emër të familjes së heroit të kombit, Abdullah Tahiri

APEL PUBLIK

Të dashur të mbijetuar të krimit të gjenocidit në Burgun e Dubravës,

Të nderuar drejtues të mediave në gjuhën shqipe,

Sot u bënë 25 vjet nga 19 maji i vitit 1999, kur aviacioni serb goditi pavijonin C1 të burgut ku u vranë Enver Topalli, Abdullah Tahiri dhe Gjokë Ndrecaj, ndërkaq u plagosën shumë të burgosur të tjerë që mbaheshin si pengje nga forcat serbe.

Njëkohësisht ,me aktet gjenocidale që kryenin forcat serbe kundër pengjeve shqiptare që mbaheshin të mbyllur në këtë burg, propagandë e ministrit të atëhershëm të Informacionit në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vuçiqit u përpoq t’ia vishte këtë krim forcave të NATO-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zyrtarë të NATO-S përgënjeshtruan propagandën serbe dhe nxorën prova të pakontestueshme se ata kishin qenë në dijeni që në Burgun e Dubravës kishte të burgosur shqiptarë dhe se aviacioni i NATO-s kishte goditjet me caqet serbe jashtë mureve të burgut.

Të gjithë të interesuarit për të parë provat e pakontestueshme i ftoj që të shohin videon (nga minuta e 46) nga konferenca për shtyp e Pentagonit, e datës 21 maj 1999.

Siç thekson zëdhënësi i Pentagonit, nga shpërthimet e fuqishme që kanë shkaktuar goditjet e caqeve serbe me raketa që drejtohen me lazer, brenda burgut kanë mundur të thyhen xhamat e jo të shkatërrohen ndërtesat.

Dëshmitë e shumta që japin zyrtarët amerikan janë prova të pakontestueshme se prapa këtij akti gjenocidal qëndron shteti serb. Prandaj, ftojmë të gjithë të mbijetuarit, të cilët nuk kanë pasur as mundësi teknike e as profesionale ta dinë se çfarë aeroplanësh kanë sulmuar pavijonet e burgut, të ndërpresin propagandën se gjoja NATO-ja ka goditur pavijonin ku janë vrarë  Enver Topalli, Abdullah Tahiri dhe Gjokë Ndrecaj, sepse nuk është e vërtetë!

Për ne, familjarët e heroit të kombit Abdullah Tahiri nuk ka asnjë dyshim në vërtetësinë e provave që ka prezantuar Pentagoni i SHBA-së: ata i vranë me urdhër të Qeverisë së Serbisë!

Gjilan, më 19 maj 2024

Në emër të familjes

Ilir Abdullah Tahiri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë sezon, skuadrat shqiptare kanë dominuar në rajon! Pas Strugës…