Reagon drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës që u arrestua pardje

10 shtator 2023 | 13:26

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, ka reaguar pas ndalimit që i është bërë atij dhe dy zyrtarëve tjerë të Komunës së Prishtinës, më 8 shtator nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.

Mujku ka thënë se publikimet në medie janë tentim i qëllimshëm për njollosjen e personalitetit të tij.

“Së pari ju falënderoj secilin prej jush për interesimin dhe përkrahjen e sinqertë, si dhe ju kërkoj falje për shqetësimin e ndjerë, të krijuar nga të tjerët për mua. Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njollosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit”, ka shkuar Mujku në “Facebook”.

Ai ka thënë se është i pastër nga këto akuza, dhe se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.

“Dua të ju siguroj se shërbimi im ndaj vendit ka qenë dhe do të jetë maksimal. Përderisa për ato që është shkruar, mund të them se jam i pastërt si loti, për çka fjalën e fundit do ta thotë drejtësia. Vullneti, tentimi apo fuqia ime për të ndikuar në drejtësi është zero. Nuk do të ndalem në shërbim të drejtë dhe me integritet për vendin nga cilado pozitë që jam, sepse e kemi obligim profesional dhe moral. E paçit shëndetin, familjen e lumtur në shtëpi, miqtë e dashamirët afër, e drejtësinë në krah secili. Do ta nisni çdo ditë mirë kështu si unë”,  ka shkruar Mujku.

Sipas raportimeve në media, të arrestuarit janë: Shefi i Personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujku dhe Shefja e Njësisë së Shërbimeve Sociale në këtë qendër, Valbona Makiqi.

Për ndalimin e Mujkut dhe Makiqit, ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.

.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Blerim Latifi Ky lajm gazete është i vitit 1938.…