Reagon FIFA: Zero tolerancë ndaj sjelljeve të neveritshme në futboll
FIFA ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur në stadiumin “Arena Kombëtare” ku u hodhën shishe me ujë dhe sende të forta në drejtim të futbollistëve polakë, pas shënimit të golit të avantazhit.
FIFA i konsideron të neveritshme akte të tilla, që sipas saj nuk kanë asnjë lidhje me futbollin.
Në përgjigje të shfaqjes së dhunës mbrëmë, një zëdhënës i FIFA-s ka thënë: “FIFA aktualisht është duke analizuar raportet e ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës mbrëmë, në mënyrë që të përcaktojë veprimin më të përshtatshëm. FIFA dënon me forcë incidentet në Angli kundër Hungarisë dhe Shqipëri kundër Polonisë dhe dëshiron të deklarojë se qëndrimi i saj mbetet i vendosur në refuzimin e çdo forme dhune, si dhe çdo formë diskriminimi ose abuzimi. FIFA ka një qëndrim shumë të qartë të tolerancës zero kundër sjelljeve të tilla të neveritshme në futboll”.