Reagon fondacioni për mbrojtjen e Thaçit: Ministria e Drejtësisë e paguan vetëm një avokat, procesi po stërgjatët
Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” pas paqartësive të krijuara në publik lidhur me ndërprerjen e kontratës me disa prej avokatëve të Thaçit në Hagë dhe shqetësimet e krijuara te qytetarët lidhur me procesin gjyqësor ndaj tij.
Ky fondacion është shprehur u shqetësuar lidhur me procesin e stërzgjatur përtej çdo parashikimi, duke thënë se shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme.
Duke mos dashur që të bëhen barrë e shtetit, sipas komunikatës zyrtare të fondacionit është bërë me dije se familja e presidentit Thaçi asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar skemën e mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për më tepër se tri vjet, e cila u mundësohet bazuar në legjislacionin primar dhe sekondar.
“Procesi po stërzgjatet përtej çdo parashikimi dhe shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme për familjen dhe njerëzit vullnetmirë, prandaj si fondacion jemi të shqetësuar për procesin e mëtejmë dhe pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes. Duke shprehur mirënjohje për të gjithë kontributdhënësit, kërkojmë që çështja e shpenzimeve për mbrojtjen juridike të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga institucionet e vendit”, është thënë në reagimin e Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”
Reagimi i plotë:
Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, pas njoftimit për ndërprerjen e kontratës së angazhimit me një pjesë të ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi dhe njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, ka pranuar reagime dhe shqetësime të shumta të qytetarëve.
Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të realizojë pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, pa e specifikuar kufizimin e marrëveshjes vetëm për një avokat, që në rastin e presidentit Hashim Thaçi mund të mbulojë vetëm shpenzimet e avokatit z. Luka Misetiq. Në këtë mënyrë, kufizimi i shpenzimeve të mbrojtjes nga Ministria e Drejtësisë ka pamundësuar vazhdimin e kontratës përkatëse dhe se shuma e kufizuar nga kjo ministri, si e tillë, nuk është e mjaftueshme as për shpenzimet mujore të stafit mbështetës të një avokati ndërkombëtar.
Duke i falënderuar përulësisht njerëzit vullnetmirë për secilin shqetësim të tyre, e vlerësojmë të nevojshme që lidhur me këtë çështje t’i ofrojmë edhe këto sqarime:
Si pasojë e rishikimit të akteve nënligjore nga Ministria e Drejtësisë, me të cilat është kufizuar tejmase mundësia për kompensimin e shpenzimeve të ekipeve mbrojtëse në procesin gjyqësor të Hagës, edhe përkundër që ligji në fuqi ka krijuar bazën juridike për të mbuluar këto shpenzime, rrugëzgjidhja e vetme ishte ndërprerja e kontratës me një pjesë të ekipit mbrojtës të z. Thaçi për shkak të pamundësisë financiare për t’i mbuluar këto shpenzime.
Sidoqoftë, deri më tani, pothuajse i gjithë angazhimi i ekipeve të mbrojtjes të z. Thaçi është mbuluar nga kontributi i familjarëve dhe njerëzve vullnetmirë, të cilët i falënderojmë përzemërsisht për përkrahjen. Duke mos dashur që të bëhen barrë e shtetit, familja e presidentit Thaçi asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar skemën e mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për më tepër se tri vite, e cila u mundësohet bazuar në legjislacionin primar e sekondar dhe ajo do të vazhdojë t’i mbulojë vetë shpenzimet e tyre familjare. Por, procesi po stërzgjatet përtej çdo parashikimi dhe shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme për familjen dhe njerëzit vullnetmirë, prandaj si fondacion jemi të shqetësuar për procesin e mëtejmë dhe pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes.
Duke shprehur mirënjohje për të gjithë kontributdhënësit, kërkojmë që çështja e shpenzimeve për mbrojtjen juridike të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga institucionet e vendit.