Reagon FSHF-ja pas lajmeve se do të kërkohet hetim ndërkombëtar ndaj Armand Dukës
Federata e Futbollit e Shqipërisë (FSHF) i ka hedhur poshtë si qesharake lajmet se do të ketë hetim ndërkombëtar ndaj presidentit të saj, Armand Duka, për korrupsion.
Mediat në Shqipëri raportuan këtë fundjavë se Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionarit kryesor të klubit të futbollit Tirana, do të kërkojnë “një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për shkelje dhe korrupsion ndaj kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka”.
“Një grup juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë, kanë asistuar aksionerët e Tiranës, për të përmbledhur një dosje voluminoze të shkeljeve që sipas tyre, Duka ka kryer në 20 vjet”, raportoi Albanian Post të dielën.
“Po i drejtohemi sot komunitetit të futbollit dhe opinionin pas letrës qesharake të shpërndarë nga Bashkia Tiranë në media për një hetim ndërkombëtar e galaktik ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në atë fletërrufe janë formuluar akuza delirante të denja për hetuesinë e kohës së diktaturës ku dhe drejtësia vepronte me urdhra politik”, thuhet në një reagim të FSHF-së.
Kjo vjen në prag të mbajtjes së zgjedhjeve brenda Federatës Shqiptare, në të cilat Duka do të kërkojë të mbetet në krye të futbollit në vend për edhe një mandat tjetër.
“Bëhet e qartë se ky është një kërcënim i hapur për njerëzit e futbollit sepse provat depozitohen në organet ligjzbatuese dhe jo në media. Kjo ka për qëllim të vetëm krijimin e një klime tensioni në këtë garë. Ne nuk hyjmë në të tilla diskutime qesharake sepse ne jemi institucioni që kujdeset për futbollin shqiptar dhe jo për marrëdhëniet me OKB-në apo NASA-n që ka kontaktuar krye-komunari për ta bërë hetimin të duket galaktik”, thuhet tutje në reagim.