Reagon Haliti: Me shpifje po tentohet të njolloset pastërtia e luftës së UÇK-së
Një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Xhavit Haliti, i ka vlerësuar si shpifje deklaratat e
Shkëlzen Gashit, këshilltar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka thënë se përmes shpifjeve po tentohet të njolloset pastërtia e luftës çlirimtare të UÇK-së, raporton “Epoka e re”.
“Ato i provokojnë në mënyrë flagrante dhe i lëndojnë ndjenjat e themeluesve, drejtuesve, pjesëtarëve dhe mbështetësve të saj, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Haliti në llogarinë e tij në “Facebook”.
Postimi i plotë i Xhavit Halitit:
Asnjë raport kredibil ndërkombëtar nuk ka nxjerrë përfundime se UÇK ka kryer krime të luftës.
Mbi bazën e dyshimeve, ëshë ngritur Gjykata Speciale. Ajo është institucioni i vetëm kredibil i drejtësisë, që mund të ngritë akuza, duke i mbështetur ato në fakte, larg çdo anshmërie.
Në këtë drejtim, pas akuzave publike të Shkëlzen Gashit, prokuroria e Kosovës si dhe ajo e Gjykatës Speciale duhet të ndërmarrin veprime të shpejta hetimore.
Deri në shpallje gjykimesh të plotfuqishme nga Specialja, akuzat e Gashit mbeten vetëm shpifje. Përmes tyre tentohet të njolloset pastërtia e luftës çlirimtare të UÇK-së. Ato i provokojnë në mënyrë flagrante dhe i lëndojnë ndjenjat e themeluesve, drejtuesve, pjesëtarëve dhe mbështetësve të saj, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Në institucionet e shtetit të Kosovës, i cili qëndron mbi sakrificat sublime dhe luftën e UÇK-së, individët e tillë janë tërësisht në vendin e gabuar.