Reagon Hoti pas zhvillimeve në Kuvend
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka cilësuar si të papranueshme sjelljet dhe gjuhën e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë interpelancës lidhur me çështjen e të pagjeturve në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit.
Kryeministrit Hoti ka theksuar se sjelljet e tilla janë jashtë çdo standardi të komunikimit politik, e sidomos sot kur temë e debatit ishte fati i të pagjeturve, çështje kjo shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë, e cila po trajtohet me shumë përkushtim nga Institucionet e Kosovës.
Hoti, përpos interpelancës së sotme, disa ditë më parë, lidhur me këtë temë ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me deputetët nga të gjitha subjektet politike parlamentare, anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ku i ka njoftuar në hollësi për angazhimet e të gjitha institucioneve relevante që trajtojnë fatin e të pagjeturve.
Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie ka rikujtuar se në këtë proces shumë të ndjeshëm dhe kompleks është i përfshirë një rrjet i institucioneve dhe mekanizmave, të cilët veprojnë në koordinim të plotë mes tyre:
Zyra e Kryeministrit, përmes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur,
Policia e Kosovës, përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës,
Instituti i Mjekësisë Ligjore,
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës,
Grupi për persona të zhdukur (për dialog me palën serbe),
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC)
Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP).
Me këtë rast, kryeministri Hoti ka theksuar se angazhimi për ndriçimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në vendin tonë, nuk ka munguar nga asnjëra qeveri deri më sot, e sidomos tani kur është shtuar mbështetja dhe trysnia nga bashkësia ndërkombëtare që kjo çështje të përmbyllet sa më parë.