Reagon ish-bordi i ARH-së: Kjo është arsyeja reale e shkarkimit tonë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës ditën e djeshme me shumicë votash kanë shkarkuar Bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave – ARH.
Ndaj këtij vendimi, kanë reaguar vetë anëtarët e këtij bordi duke thënë se procesi i djeshëm ishte krejtësisht i paqartë, antiligjor dhe i mbingarkuar me shpifje e trillime.
Sipas ish Bordit të ARH-së, një vendim i tillë, cenon pavarësinë e këtij institucioni dhe krijon një pasiguri juridike në vazhdimin e funksionomit të ARH-së.
“Arsyetimi për shkarkimin e Bordit të ARH-së, nga ana e disa deputetëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë të Kuvendit të Kosovës nuk ka asnjë argument faktik e as ligjor”.
“Përdorimi i informatave të prezantuara nga ky komision kanë qenë të sponsorizuara nga nivelet shumë të ulëta, ku nga prezantimi i tyre është vërejtur se edhe vetë deputetet kanë rënë pre e lajthitjeve të tilla dhe si të tilla kanë dalë tërësisht tendencioze e aspak të vërteta. Këtë do ta dëshmojmë, në adresimin tonë për organet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e ish-Bordit të ARH-së.
Sipas tyre, arsyeja reale e shkarkimit të këtij shkarkimi është tendenca për të instaluar ndikimin dhe kontrollin në këtë institucion në tërësi nga pushteti aktual, sepse sipas tyre, në fund të muajit korrik i skadon kontrata Kryeshefit Ekzekutiv dhe se vet ky Bord nuk ka pasur mandat më shumë se edhe 3 muaj.
“Është interesant se si në pikat e shkarkimit, arsyetimi bazë i dhënë është një rekomandim i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e që në të vërtetë ai rekomandim është i një institucioni krejtësisht tjetër, mirëpo adresimi i këtij rekomandimi përdoret për shkarkimin e ARH-së. Ky është një dezinformim që i është bërë deputetëve dhe opinionit publik. Kjo është lehtë e faktuar”.
“Përkundrazi, në vitin 2016, kur Bordi aktual ka marrë detyrën, ZKA, ka dhënë 6 rekomandime për të gjeturat/shkeljet e evidentuara. Ndërsa më punën profesionale dhe performancën e mirë të këtij Bordi, në vitet 2018, 2019 dhe 2020, ZKA nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe nuk ka dhënë asnjë rekomandim”.
“Ky fakt ARH-në e bën institucionin e vetëm në vend të këtij niveli, që ka performancë të shkëlqyer, e cila është vlerësuar edhe nga ZKA. Rrjedhimisht, edhe gjitha shpenzimet e bëra janë proceduar konform Ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi, gjë që është dëshmuar ndër vite”.
“Arsyetimet tjera, tregojnë për injorancën e disa deputetëve në Komisionin funksional, ku akuzohemi për të drejta dhe përgjegjësi të institucioneve tjera (Ministria e Infrastrukturës, Ndërmarrja Publike “Trainkos”, Ndërmarrja Publike “Infrakos”, Ministria e Ekonomisë, etj), e për të cilat ARH nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore”.
“Bordi i ARH-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar dhe shpifjet e prezantuara”.
“I bëjmë thirrje gjithë mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët merren më mbikëqyrjen e sundimit të ligjit por edhe ato që merren me punën e sektorit hekurudhor, që të reagojnë ndaj këtij vendimi arbitrar dhe jo ligjor dhe të parandalojnë degradimin e këtij institucioni, rrjedhimisht edhe gjithë sektorit”, thuhet në reagimin e ish anëtarëve të Bordit të ARH-së.