Reagon KMDLNj: 49 viktima shqiptare të Oliver Ivanoviqit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), nëpërmjet një komunikate për medie ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Ky këshill ka kujtuar akuzat për krime lufte që rëndonin ndaj Ivanoviqit, përderisa e ka cilësuar si të papranueshëm propozimin që një delegacion i Kuvendit të Kosovës të marrë pjesë në varrimin e tij.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
Ditë më parë nga persona të panjohur u ekzekutua ish lideri i serbëve të veriut dhe i dënuari për krime lufte, Oliver Ivanoviq.
Ekzekutimi shumë profesional u krye para hyrjes në selinë e partisë që drejtohej nga Oliver Ivanoviq. Ekzekutimi u bë në mënyrë shumë profesionale, pa lënë gjurmë dhe pa prani të dëshmitarëve.
Pas këtij ekzekutimi shumë profesional filloi një luftë e adresimit të kryerësve të mundshëm të këtij krimi ku Serbia këmbëngulë se këtë krim e kanë bërë shqiptarët për të shtrirë autoritetin në veri , me dërgimin e Policisë së Kosovës apo ushtrisë së Kosovës e cila as që ekziston.
Për opinionin e gjerë Oliver Ivanoviq është portretizuar si politikan i matur, që është kundër ndarjes së Kosovës dhe me të cilin mund dhe duhet të bashkëpunohet.
Për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut nuk ka pasur asnjë mëdyshje për të kaluarën e tij kriminale dhe për përgjegjësinë komanduese për krime lufte ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, boshnjakë dhe turq.
Në këtë kontekst , Q. R e KMDLNj-së në Mitrovicë së bashku me zyrën në Prishtinë ka mbledhur informacione që bindshëm dhe pamohueshëm e vërtetojnë përgjegjësinë për krime lufte të Oliver Ivanoviqit duke e denoncuar publikisht për këto krime sikur edhe duke bërë kallëzime penale kundër tij e që nuk janë marrë fare parasysh nga UNMIK në ndërkohë që autoritetet vendore nuk kanë pasur asnjë kompetencë.
KMDLNj e ka akuzuar Oliver Ivanoviqin për vrasjen e 39 shqiptarëve gjatë luftës si dhe vrasjen e 10 shqiptarëve pas përfundimit të luftës. Për ta sqaruar opinionin për rolin e Oliver Ivanoviqit me këto krime KMDLNj ofron këto dëshmi që i ka dorëzuar në prokurori të UNMIK –ut dhe EULEX – it.
Më datë 14.04.1999, Oliver Ivanoviq , i uniformuar si polic rezervistë dhe me përgjegjësi komanduese në rrugën e “Kovaçëve” ka urdhëruar vrasjen e 31 civilëve shqiptarë.
Më datë 16.04.1999 po në të njëjtën cilësi dhe përgjegjësi , te Ura e Gjakut ka urdhëruar vrasjen e 8 shqiptarëve.
Më 3 dhe 4 .02.2000, eskadronët vrastare paramilitare dhe policore serbe të udhëhequra nga Rojat e Urës ku Oliver Ivanoviq ka qenë figura qendrore kanë vrarë 10 civilë shqiptarë dhe me dhunë kanë shpërngulur 1564 familje , me 11.364 anëtarë, pjesa dërmuese e të cilëve kanë qenë shqiptarë por ka pasur edhe pjesëtarë të pakicës boshnjake dhe turke.
Para se të ekzekutohej Oliver Ivanoviq ka qenë i sulmuar 3 herë nga persona të panjohur e që nuk janë zbuluar kurrë. Herën e parë i është vënë flaka veturës së Oliver Ivanoviqit.
Herën e dytë është sulmuar me bombë duke e hedhur në oborrin e shtëpisë kurse,
Herën e tretë është gjuajtur me armë zjarri.
Pas denoncimeve të vazhdueshme për përgjegjësinë për krime lufte të Oliver Ivanoviqit, me 23.04.2013, koordinatori i Q. R të KMDLNj-së në Mitrovicë, z. Halit Barani është ftuar në EULEX dhe ka dhënë deklaratë dhe ka ofruar prova pas së cilës është arrestuar Oliver Ivanoviq i cili , pastaj, nga Gjykata Themelore u dënua me 9 vite burg dhe pas një presioni të madh të Serbisë dhe mbase me ndonjë marrëveshje politike rasti u kthye në rishqyrtim , me vendim të Gjykatës së Apelit.
Pas ekzekutimit të Oliver Ivanoviqit u përhap një dezinformatë se vetura e tipit “Opel Astra” është gjetur e djegur në lagjen e “Boshnjakëve”, e banuar me shqiptarë kurse, në të vërtetë , vetura u gjet në lagjen “7 Shtator” që shpie në drejtim të Zveçanit.
Për KMDLNj- në është shumë me rëndësi të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë kryerësit e këtij krimi në mënyrë që të hiqen dilemat dhe spekulimet sikur edhe të zbardhen motivet e këtij krimi.
Për KMDLNj –në është jashtëzakonisht shqetësues fakti për mos ndjeshmërinë ndaj 49 të viktimave dhe familjeve të tyre, për të shpërngulurit me dhunë të cilët asnjëherë nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre nga Oliver Ivanoviq dhe paramilitarët tjerë.
Për KMDLNj-në është i papranueshëm propozimi që një delegacion i Kuvendit të Kosovës të marrë pjesë në varrimin e Oliver Ivanoviqit sikur edhe evokimi i kujtimeve për pirje kafe me të në kohën kur ndaj Oliver Ivanoviqit ishin bërë publike akuzat për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë.
Në këtë kontekst KMDLNj kërkon drejtësi për viktimat, në rastin konkret për 49 viktimat shqiptare sikurse edhe për të gjitha viktimat tjera ndaj të cilëve nuk është përmbushur drejtësia pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore, bindjeve politike, statusit shoqëror dhe tjera si dhe përgjegjësisë ndaj të gjithë atyre që planifikuan, zbatuan, kryen dhe nuk penguan krimet për shkak të shkeljeve të ligjeve të luftës, gjithashtu pa bërë dallime në baza etnike, fetare, gjinore, statusit shoqëro, bindjeve politike etj.
Thjeshtë, KMDLNj kërkon drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët. Oliver Ivanoviq nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitete kriminale dhe KMDLNj ka denoncuar me fakte edhe persona të tjerë të cilët do të duhej të trajtohen nga Gjykata Speciale.
Amnestimi dhe glorifikimi i figurës së Oliver Ivanoviqit që po portretizohet si personazh pozitiv dhe si viktimë krijon mundësi që edhe të tjerët , kriminelët e tyre t’i paraqesin si heronj e që për KMDLNj është e papranueshme, e pamoralshme dhe e dënueshme.
Oliver Ivanoviq, gjatë luftës ka qenë udhëheqës i policisë rezerviste të Serbisë që ka kryer shumë masakra anekënd Kosovës kurse pas luftës ka qenë njëri ndër themeluesit e Rojave të Urës apo paramilitari vrasës i “Dolce Vitas”.
Këto janë fakte që KMDLNj i ka mbështetur me deklarata të të mbijetuarve të masakrave që i ka bërë Oliver Ivanoviq, me policët që i ka komanduar edhe paramilitarët e Serbisë , pas përfundimit të luftës.
Nëse tregohemi të mëshirshëm ndaj kriminelëve atëherë po i vrasim viktimat për herë të dytë dhe po e përligjim mosndëshkueshmërinë e cila do të inkurajojë ata që edhe në të ardhmen planifikojnë të bëjnë krime lufte apo krime kundër njerëzimit!