Reagon KMDLNj: Mosbartja e maskës mbrojtëse nuk është vepër penale
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas deklaratave të fundit të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka paralajmëruar se do ta përdorin forcën e ligjit ndaj atyre që nuk i respektojnë masat mbrojtëse ndaj koronavirust e sidomos ndaj atyre që nuk vendosin maska mbrojtëse.
“Kryeministri Hoti dhe ministri Zemaj nuk kanë përgjegjësi për rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19, por nuk e kanë detyrim dhe përgjegjësi që qytetarët, sidomos ata që mundësitë materiale i kanë të vogla, të furnizohen me mjete mbrojtëse pa pagesë aq më parë që ka pasur shumë donacione ndërkombëtare për këtë. Të rrallë janë ata që kanë mundësi që për një maskë mbrojtëse për një përdorim të paguajnë nga 1 euro për vete dhe nga 1 euro për çdo anëtar të familjes. Në vend të kërcënimit duhet të krijohet një mundësi që qytetarët të furnizohen me masa mbrojtëse pa pagesë”, bëhet me dije në reagimin e KMDLNj-së, duke theksuar se në Kosovë nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për t’u përdorur mjete të jashtëzakonshme juridike që nuk janë të rregulluara me ligj.
Ky këshill ka vlerësuar se është rritur numri i të infektuarve për faktin se është rritur numri i testimeve për Covid-19.
KMDLNj-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përmbahen rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e situatës dhe ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përkrahët më shumë sistemi shëndetësor mbi të cilin po bie barra kryesore në luftimin e pandemisë.
(F.D / Epoka e re)