Reagon kryediplomati hungarez: Ushtarët tanë u plagosën në Zveçan
Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto, ka thënë se gjatë përleshjeve me serbët në Zveçan janë lënduar disa ushtarë hungarezë të KFOR-it.
“Ushtarët hungarezë kryen detyrat e tyre në përputhje me urdhrat e marra, shumë prej tyre u plagosën. Kujdesi mjekësor për ushtarët hungarezë të plagosur ofrohet nga KFOR-i dhe mbrojtja kombëtare hungareze”, shkroi ai në Facebook.
Kryediplomati hungarez ka theksuar se vendi i tij është i interesuar për paqe dhe qetësi në Ballkanin Perëndimor.
“Ne po e bëjmë këtë, sepse qindra ushtarë tanë janë duke shërbyer në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë”, shtoi ai.
Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ka dënuar sulmet e dhunshme të protestuesve serbë kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan, ku edhe ka bërë të ditur se 11 ushtarë të KFOR-it italianë janë lënduar, 3 prej tyre në gjendje të rëndë.
Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ai tha se “dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare”.
“Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën”, shkroi ai në Twitter.
Ndërkaq, kryediplomati italian theksoi se “ushtria vazhdon të punojë për paqen”.
Siç bëhet e ditur, 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.