Reagon LDK-ja në Podujevë: Asamblisti ynë në asnjë moment nuk e preku fizikisht Bulliqin
Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë ka reaguar pas përplasjes verbale ndërmjet kryetarit të kësaj komune Shpejtim Bulliqi e asamblistit të tyre Rrahmani.
Nga kampi i LVV, kishin thënë se asamblisti i LDK-së ka tentuar ta sulmoj fizikisht kryetarin Bullliqi, por LDK ka hedhur poshtë këto pretendime.
“Ofendimet që LVV ka shpërndarë përmes një komunikate, duke i quajtur “rrugaçë” asamblistët tanë, tregojnë për nivelin dhe për shpifjet e tyre. Siç edhe dihet, seancat e Kuvendit transmetohen drejtpërdrejt përmes TV Llapi dhe salla e Kuvendit është e mbuluar me kamera. Pamjet flasin qartë se asamblisti Rrahmani në asnjë moment nuk e ka prekur fizikisht Bulliqin” – thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK.
Tutje aty thuhet se seanca është mbajtur jashtligjshëm, përçka LDK ka thënë se do ta kontestojn në MAPL.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Podujevës,
Sot, Grupi i Këshilltarëve Komunalë të LDK-së në seancën e Kuvendit të Komunës së Podujevës, përmes shefit të grupit, paraqiti një kërkesë ligjore që të përfaqësohemi në Komitetin për Komunitete, ashtu siç na takon ligjërisht. Për fat të keq, kjo kërkesë u refuzua nga pushteti përmes manipulimit të numrave, duke u përpjekur të krijojnë një perceptim të rremë në opinionin publik, sikur nuk i kanë votat e nevojshme. Për informimin e drejtë të qytetarëve, ju sqarojmë se Komiteti për Komunitete duhet të përbëhet nga grupet e mëdha të përfaqësuara në Kuvend, ndërsa asamblistët pa grup nuk mund të jenë pjesë e komisioneve të përhershme të Kuvendit, gjë që mbështetet edhe në një interpretim nga Ministria e Linjës.
Sipas ligjit, Kryetari i Komunës merr pjesë në Kuvend vetëm kur është e nevojshme për të diskutuar çështje të caktuara ose kur ftohet nga Kuvendi. Por, Shpejtim Bulliqi, siç bën zakonisht duke shfrytëzuar një kryesues të dobët, e mori udhëheqjen e seancës në cilësinë e Kryesuesit të Kuvendit, duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos kontribuar aspak në krijimin e një gjuhe bashkëpunimi. Përkundrazi, ai ka qenë provokativ dhe ka kontribuar në polarizimin e debatit. Gjatë këtij debati, ai fyeu asamblistin Ekrem Rrahmani duke e quajtur “pis” dhe “han në grazhd”, gjuhë kjo që nuk është parlamentare dhe që nuk përkon me funksionin e tij. Fatkeqësisht, ky është niveli i komunikimit që na ofron ky udhëheqës.
Ne, si grup këshilltarësh, në pamundësi për ta realizuar këtë të drejtë ligjore, bllokuam seancën e Kuvendit deri në vendosjen e ligjshmërisë. Megjithatë, ky pushtet e kontrabandoi të gjithë seancën e Kuvendit në mënyrë të kundërligjshme, duke shfrytëzuar makinacionin e tij të votimit në Kuvend dhe duke kaluar pikat vetëm me votim, pa diskutim dhe pa vërejtje. Kjo ndodhi edhe me miratimin e planit të hollësishëm për zonën industriale, i cili u vendos në rendin e ditës pa dëgjim publik dhe pa marrë parasysh kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.
Ky pushtet, në mënyrë të fshehtë dhe të pandershme, votoi gjithashtu për dyfishimin e tatimit në pronë për qytetarët llapjanë, duke rënduar më tej barrën e tyre ekonomike. Ne, si grup i këshilltarëve të LDK-së, mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe kërkojmë respektimin e ligjit dhe transparencës në vendimmarrje!
Sigurisht, kontrabandimi i seancës nuk do të kalojë pa interpretim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ku ne do të kërkojmë që për shkak të shkeljes së ligjshmërisë, kjo seancë të përsëritet.
Ofendimet që LVV ka shpërndarë përmes një komunikate, duke i quajtur “rrugaçë” asamblistët tanë, tregojnë për nivelin dhe për shpifjet e tyre. Siç edhe dihet, seancat e Kuvendit transmetohen drejtpërdrejt përmes TV Llapi dhe salla e Kuvendit është e mbuluar me kamera. Pamjet flasin qartë se asamblisti Rrahmani në asnjë moment nuk e ka prekur fizikisht Bulliqin.