Reagon MPJ: Ishujt Solomon nuk e kanë tërhequr njohjen

02 dhjetor 2018 | 22:00

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), të Kosovës ka bërë të ditur se Ishujt Solomon nuk e kanë tërhequr njohjen.
Ministria e Punëve të Jashtme ka përgënjeshtruar raportimet që sot u bënë në mediat kosovare se Ishujt Solomon e kanë tërhequr njohjen e tyre ndaj Kosovës.

Përmes një komunikate për media, MPJ-ja, ka bërë të ditur se kjo është një propagandë dhe se kjo ministri, zyrtarisht nuk ka pranuar asnjë dokument nga Ishujt Solomon që e vërtetojnë se ky shtet e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmon se nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga ky shtet dhe si rrjedhim nuk komenton ‘dokumente’ të paverifikuara, që mund të qarkullojnë për qëllime propaganduese, agjenda të dyshimta dhe synojnë krijimin e lajme të rreme”, thuhet ndër të tjera në reagimin e MPJ-së, raporton më tutje lajmi.net.

Reagimi i plotë i MPJ-së pa ndërhyrje:

Ministria e Punëve të Jashtme përgënjeshtron raportimet në media për kinse pranim të dokumenteve zyrtare nga Ishujt Solomon për lëkundje të qëndrimit të këtij shteti ndaj Republikës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmon se nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga ky shtet dhe si rrjedhim nuk komenton ‘dokumente’ të paverifikuara, që mund të qarkullojnë për qëllime propaganduese, agjenda të dyshimta dhe synojnë krijimin e lajme të rreme.

Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se Ishujt Solomon e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në vitin 2014, ndërsa një vit më vonë janë vendosur edhe marrëdhënie diplomatike, nivel ky më i lartë i marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Ministria e Punëve të Jashtme thekson se përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në vazhdimësi kanë mbajtur kontakte dhe kanë zhvilluar takime bilaterale të nivelit të lartë me përfaqësuesit këtij shteti, ku janë shprehur zotime të dyanshme për thellimin e këtyre marrëdhënieve në mes dy popujve dhe dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, njëherësh kryetar i degës…