Reagon OVL-UÇK në Pejë ndaj suspendimit të policëve, ish-ushtarë të UÇK-së
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar policisë që të suspendojë 94 pjesëtarë të saj, për arsye se të njëjtit kanë probleme me shëndet mental, që të gjithë invalidë të luftës.
“OVL -UÇK Pejë, kërkon nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që të mos suspendojë nga puna policët dhe oficerët e PK-së (ish Ushtar të UÇK-së), sipas propozimit të bërë nga Inspektorati i Policisë, vetëm për shkak se ata marrin pension invaliditeti të luftës. Ne kërkojmë që këta policë të amnistohen, të paktën deri sa Komisioni Mjekësor Invalidor i formuar në fund të vitit 2017, të rivlerësojë gjendjen e tyre shëndetësore dhe të rivlerësojë shkallën e tyre të invaliditetit”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së në Pejë.
Sipas këtij reagimi, secili invalid i luftës, përfshirë edhe ata që deri më tani gëzojnë pension invalidor, do të vlerësohet para këtij komisioni.
“Ne jemi optimist se shumë bashkëluftëtarë, tani më janë shëruar dhe gëzojnë shëndet të mirë. Ne shpresojmë që Drejtoria e Policisë, do e pres vendimin e rivlerësimit të tyre nga Komisioni Mjekësor, para se të marrë çfarë do vendimi në lidhje me çështjen”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.