![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/03/242147CD-C4B1-4E1D-B93C-62E459B14CAD.jpeg)
Reagon Presidenca: Takimi i Osmanit me Haradinajn nuk është realizuar për shkaqe protokollare
Nga Presidenca e Kosovës kanë thënë se takimi i presidentes Vjosa Osmani me kryetarin e AAK-së, nuk është zhvilluar për shkaqe protokollare.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes ka thënë në një përgjigje për Klankosova.tv, se Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar.
“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”, ka thënë Kupina.
Ndërkohë, drejtori për Informim në AAK, Lulzim Blaka, në një përgjigje për Klankosova.tv ka thënë se takimi nuk është realizuar për shkak se Osmani nuk ka respektuar orarin e caktuar nga vetë ajo.