Reagon rektori i shkarkuar i UPZ-së, e quan të kundërligjshëm veprimin e Këshillit Drejtues
Këshilli Drejtues i Universitetit Publik ”Ukshin Hoti” në Prizren ka shkarkuar nga detyra rektorin, Ismet Temaj, ndërsa ky e ka vlerësuar këtë veprim të kundërligjshëm këtë veprim, paralajmëron procedurë gjyqësore.
Sipas njoftimit shkakrimi i tij është bërë në mbledhjen e mbajtur sot.
“Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, me votim të fshehtë, me 5 vota pro, një kundër dhe një abstenim, shkarkoi nga detyra Rektorin e Universitetit Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të UPZ-së.
Derisa ende nuk janë publikuar arsyet, Temaj ka thënë për “GazetaePrizrenit” se nuk ka qenë në mbledhje, por ka informacione për shkarkimin e tij.
“Nuk kam ndonjë njoftim zyrtar, por ky është veprim i kundërligjshëm dhe sapo ta marr vendimin, do t’i drejtohem organeve gjyqësore”, tha ai.
Temaj ka qenë në gjysmë të mandatit të tij katërvjeçar në krye të UPZ-së.