Reagon Sindikata e Doganës, nuk e përkrah udhëzimin e ri administrativ dhe konkurset e hapura
Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës përmes një komunikate për medie ka njoftuar se kjo sindikatë ka mbajtur një takim të menjëhershëm për të analizuar dhe diskutuar udhëzimin e ri administrativ.
Sindikata ka njoftuar se SPDK-ja ka qenë e ftuar të marrë pjesë në grupin punues për draftimin e këtij udhëzimi dhe ka dhënë propozimet e saj me qëllim të sigurimit të barazisë së stafit dhe respektimin e parimeve të përgjithshme mbi marrëdhënien e punës.
“SPDK ka vërejtur se në UA të publikuar propozimet e sindikatës nuk janë marrë për bazë, andaj mbi këtë bazë kryesia e SPDK-së ka vendosur që të mos e përkrahë UA 60/2019 dhe të gjitha konkurset të brendshme apo të jashtme të bazuara në këtë udhëzim ne nuk do ti përkrahim dhe do ti atakojmë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Sindikata e Doganës.
SPDK-ja ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme ligjore për të kundërshtuar këtë udhëzim, krejt kjo për të siguruar trajtimin e barabartë të stafit.
/Epoka e re/